Barcelona probleme me ndërtimin e stadiumit të ri, kapaciteti do të jetë vetëm 30 mijë vende
Punimet për rindërtimin e stadiumit Spotify Camp Nou në Barcelonë po ecin me ritme të ngadalta, dhe tashmë janë shfaqur edhe probleme të reja që prekin rikthimin e tifozëve në shtëpinë e re të FC Barcelona.
Pas konfirmimit se Trofeu Gamper nuk do të zhvillohet në stadiumin e rinovuar, tani është zbuluar se për ndeshjen e parë të sezonit në La Liga, më 14 shtator ndaj Valencias, Barça nuk do të mund të përdorë kapacitetin e parashikuar prej 60 mijë vendesh.
Klubi katalanas ka paraqitur një kërkesë zyrtare në Bashkinë e Barcelonës për një licencë të përkohshme, e cila do të lejojë hyrjen e vetëm 30 mijë tifozëve në stadium. Sipas planit të klubit, kapaciteti do të rritet gradualisht: fillimisht në 45 mijë dhe më pas në 60 mijë spektatorë.
Ndërkohë, në pritje të përgjigjes nga autoritetet lokale, Barcelona ka kërkuar edhe nga UEFA që të zhvillojë ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve në transfertë, për të shmangur kufizimet e kapacitetit edhe në ndeshjet evropiane.
Rihapja e plotë e Camp Nou duket ende larg, dhe Barça detyrohet të bëjë lëvizje taktike për të menaxhuar praninë e tifozëve dhe kalendarin e ndeshjeve.
KOHA JONË SONDAZH

