Barcelona revolucion në verë, sakrifikon disa yje për Lautaron

Barcelona kërkon të bëjë një mini-revolucion gjatë merkatos së verës. Objektivi kryesor vijon të mbetet Lautaro Martinez, ndërkohë që në mesfushë do të tentohet afrimi i Miralem Pjanic. Klubi blaugrana duhet të investojë 111 milionë euro për argjentinasin dhe të sakrifikojë një yll në mesfushë për boshnjakun. Te skuadra e Setien mund të ketë largime të shumta.

I pari në listë është portugezi Nelson Semedo, që nuk ka arritur të shndërrohet në titullar te Barcelona, por që vlerësohet shumë nga Pep Guardiola te Manchester City dhe klubi anglez duket se është gati të paguajë 40 milionë euro për kartonin e tij.

Përveç portugezit, një tjetër emër që pritet të sjellë para kesh në arkat e katalanëve, është ai i brazilianit Philippe Coutinho, i cili është në huazim te Bayern Munchen, por gjermanët nuk kanë ndërmend ta ushtrojnë të drejtën e blerjes. Për fantazistin brazilian interesohen klube të ndryshme në Premier League, ndërsa Barcelona është gati të ulë pretendimet në 70 milionë euro, për t’u liruar nga një lojtar me pagë të lartë, por që nuk është pjesë e projektit të klubit.

Edhe dy francezët, Antoninne Griezmann dhe Ousmane Dembele janë me valixhe gati dhe pritet të lënë “Camp Nou”-n këtë verë, ndërsa plani i katalanëve është përfshirja e të dyve në marrëveshjen që do të rikthente sërish në Spanjë brazilianin Neymar. Pas realizimit të këtyre shitjeve, Barcelona do të provojë të sjellë në “Camp Nou” Lautaro Martinez, Pjanic dhe një mbrojtës.

 

SHKARKO APP