Barcelona sfidon Bayernin dhe Dortmundin, synon afrimin e Fisnik Asllanit
Barcelona pritet të hyjë në merkaton e verës 2026 për një qendërsulmues të ri, duke qenë se kontrata e Robert Lewandowskit skadon në fund të sezonit dhe nuk ka sinjale për rinovim. Një nga emrat që ka fituar vëmendjen e klubit katalanas është Fisnik Asllani, sulmuesi i TSG Hoffenheim dhe i përfaqësueses së Kosovës.
Megjithatë, javët e fundit interesimi i Barcelonës nuk është shoqëruar me lëvizje konkrete, ndërsa gara për kartonin e tij është ashpërsuar nga rivalë të rëndësishëm.
Sipas informacionit të fundit të Florian Plettenberg nga Sky Germany, Barcelona vazhdon ta ketë Asllanin në listën e saj, ndërkohë që edhe Bayern Munich e Borussia Dortmund e konsiderojnë 23-vjeçarin si një objektiv real për merkaton e verës.
Raporti thekson se kontrata e sulmuesit me Hoffenheim përmban një klauzolë largimi që varion nga 25 deri në 29 milionë euro, me vlerën që ndryshon sipas klubit blerës, kampionatit.
Gjithashtu, theksohet se Premier League nuk shihet si destinacion i mundshëm për Asllanin aktualisht, duke e kthyer garën në një treshe gjigantësh: Barcelona, Bayern dhe Dortmund.
Asllani ka regjistruar 14 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet me Hoffenheim, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhënë tre asistime. Me Kosovën, ai numëron tre gola në 12 ndeshje. Kontrata e tij në Bundesliga zgjat deri në vitin 2029.
KOHA JONË SONDAZH

