Bare nuk mund të debutojë me Espanyol-in për një arsye të çuditshme
Keidi Bare së fundmi është bërë pjesë e Espanyol në ligën e dytë të futbollit spanjoll, megjithatë mesfushori shqiptar përballet me një situatë të pazakontë në aventurën e re.
23-vjeçari do ta ketë të pamundur që të luajë me skuadrën nga Barcelona, për shkak të rregullave financiare të përcaktuara nga Liga. Me afrimin e Bares, Espanyol tejkaloi tavanin e pagave të futbollistëve. Përpara se kuqeziu të jetë në dispozicion të trajnerit Vicente Moreno, klubi duhet të shesë një futbollist nga kontingjenti aktual.
Për këtë arsye, debutimi i mesfushorit, në sfidën e së hënës kundër Real Oviedo-s është seriozisht në dyshim. Espanyol investoi 2,5 milionë euro për ta blerë Keidi Baren nga Malaga, të cilave do t’u shtohen edhe 1 milion euro në bazë të ndeshjeve të luajtura nëse ekipi do të ngjitet në elitën e futbollit spanjoll.
Sipas marrëveshjes, titullari i Kombëtares do të përfitojë mbi 500 mijë euro në sezon, teksa ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare.