Bare: U kualifikuam njëherë në Europian, pse të mos shkojmë në Botëror?

Keidi Bare ishte një nga futbollistët e kombëtares shqiptare që dolën në konferencë për shtyp. Mesfushori i Espanyolit foli për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, për zgjedhjet e trajnerit, për mundësitë që kanë kuqezinjtë për t’u kualifikuar në Botëror si dhe për të ardhmen e tij te Espanyoli.

“Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne, pasi në shtator kemi dy ndeshje akoma më të rëndësishme. Do provojmë veten në këto dy ndeshje.

Mesfusha? Jemi lojtarë shumë të rinj, pavarësisht se në këtë grumbullim kemi mungesa. Jam i bindur se i gjithë ekipi do japë maksimumin në fushë, siç ka bërë edhe në stërvitje. Besoj se në këto ndeshje do tregojmë vlerat tona, për të arritur diçka të mirë. Shpresoj që në fushë të jemi të gjithë në nivel të lartë.

Edhe rezultati kërkohet nga ne, pasi të jep moral të lartë. Dua të them që duhet të formojmë grupin, duhet të bëjmë ndeshje të mira. Në shtator na presin ndeshje të vështira. Do provojmë t’ia arrijmë qëllimit të bëjmë mirë.

Espanyol? Do doja shumë që të isha për shumë vite te Kombëtarja dhe tek Espanyol. Duhet të punoj fort, të jem i fokusuar dhe t’i bëj gjërat mirë. Jam shumë më i pjekur, pasi shumë lojtarë më kanë ndihmuar shumë.

Unë kam edhe 4 vite në kontratë dhe jam shumë i lumtur. Më kanë dhënë mbështetje dhe më duan shumë atje. Tani jam në La Liga, që e kam ëndërruar prej kohësh. Çdo lojtar e do këtë kampionat dhe unë e kam realizuar këtë ëndërr.

Kualifikim në Botërorin e Katarit? Asgjë nuk është e pamundur. Siç u arrit kualifikimi në Europian, pse të mos e arrijmë kualifikimin në Botëror. Do bëjmë të pamundurën për këtë.

Golat? Sot lojtarët që shënojnë, janë lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Kjo nuk do të thotë gjë, pasi në fushë janë 11 vetë që luajnë. Do isha shumë i lumtur të vazhdoj të shënoj gola. Tek ekipi im nuk luaj në të njëjtin pozicion siç jam këtu në Kombëtare. Këtu jam më afër portës”, deklaroi Bare.

 

SHKARKO APP