Bare zbulon emocionet e golit të parë kuqezi dhe zbulon të ardhmen: Largohem nëse …
Keidi Bare ishte një ndër më të mirët në dy ndeshjet e fundit me kombëtaren tonë ndaj Turqisë dhe Moldavisë, duke justifikuar besimin e trajnerit Edy Reja, i cili e aktivizoi në të dy ndeshjet për 90 minuta. Mesfushori i talentuar ka treguar emocionet e golit të parë kuqezi në një intervistë për mediat spanjolle, ndërkohë që ka komentuar edhe të ardhmen e tij.
“Ishte goli im i parë me kombëtaren e madhe. Jam shumë i lumtur, sepse ishte një ëndërr e përmbushur. Shpresoj që të shënoj edhe me Malaga-n. Kualifikimi për në Kampionatin Europian është shumë i komplikuar, sepse humbëm në minutën e fundit kundër Turqisë. Duhet të vazhdojmë, të shohim përpara. Kombëtarja është pothuajse e re, me lojtarë të rinj, që janë bashkuar me të tjerët, që luajnë aty prej kohësh.
E ardhmja? Kam edhe dy vite kontratë. Deri tani jam duke menduar 100 për qind për Malaga. Nëse ka oferta, ato do të shqyrtohen nga klubi. Unë jam i përqendruar t’i bëj gjërat siç duhet në fushën e blertë dhe ta nxjerr ekipin nga kjo situatë. Nëse doni t’ju tregoj dëshirën time, nuk dua të largohem që këtu.
Megjithatë, nëse klubi ka nevojë për para dhe më thotë se duhet të sakrifikoj veten e të shkoj në një ekip tjetër, nuk ka asgjë për t’u kundërshtuar. Unë jam i lumtur te Malaga, ndihem si në shtëpi, po më trajtojnë shumë mirë. Por, nëse drejtuesit vendosin të më shesin diku tjetër, nuk do të kisha çfarë të bëja”, deklaroi Bare për portalin “malagahoy”.