Barleti Volej, fituese e Kupës së Shqipërisë
Barleti Volej shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë në volejbollin e femrave. Universitaret e trajnerit Hasan Gurabardhi, pas një viti me suksese në 2014, ku fituan plot 4 trofe , edhe atë të titullit kampion, e nisin edhe vitin 2015 me triumfin në Kupë, duke ju dhënë një mesazh të qartë gjithë rivaleve edhe për të ardhmen. Në finalen e luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, Barleti Voley mposhti 3-0 me sete skuadrën e Tiranës. Vajzat bardheblu nuk mundën t'i bënin ballë ekipit të trajnerit Gurabardhi. Edhe pse finalja nisi me rivalitet dhe e ekuilibruar, falë edhe mbështetjes së tifozëve më të shumtë në numër në shkallët e Pallatit të Sportit, vajzat e Barleti Volej në gjysmën e dytë i futën një tjetër marsh duke e fituar setin e parë me diferencë 25-19. Në setin e dytë Barleti Volej fitoi 25-22 dhe në setin e tretë 25-21, duke u shpallur fitues i kupës. Pas finales së volejbollit të femrave, rradhën në Kupën e Shqipërisë e kanë meshkujt, me dy sfidat gjysmëfinale Studenti – Teuta dhe Tirana – Farka Voley, që do të luhen gjatë ditës së sotme.
KOHA JONË SONDAZH

