Basketboll në çdo shkollë të vendit, kryeministri Rama fton kampionët ndër vite
Deri dje kampionë të mëdhenj të këtij vendi ishin lënë në harresë dhe ndoshta kjo është arsyeja që sot sporti dhe më konkretisht basketbolli ka rënë përtokë. Për fatin e mirë, ata që janë të apasionuar pas sportit të basketbollit, apo ata që kanë shkruar historinë e këtij sport në Shqipëri, nuk do të jenë më jashtë fokusit të qeverisë, kjo mbase edhe për faktin se kryeministri i vendit, Edi Rama, ka qenë në rininë e tij një basketbollist profesionist. Kampionët që kanë bërë historinë e basketbollit do të marrin në patronazh palestrat e gjimnazeve për t’u mësuar nxënësve këtë sport. Me rastin e ditës së mësuesve, Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, prezantuan projektin ku çdo ministër i kabinetit qeveritar do të marrë në patronazh nga një gjimnaz në vend, për të nxitur nxënësit dhe mësuesit me kulturën e projekteve. Edhe kampionët që kanë bërë historinë e basketbollit në vendin tonë, do të marrin në patronazh palestrat e gjimnazeve për t’u mësuar nxënësve këtë sport. Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla me kreun e Federatës të Basketbollit, Avni Ponari. Në fjalën e tij, kryeministri Rama sqaroi detajet e këtij projekti. – “Jemi gati të lançojmë dhe një iniciativë tjetër, të një grupi kampionësh të sportit. Njerëz që arritën të bënin sukses e të ngrinin peshë zemrat e këtij populli. Në një kohë kur numri i palestrave ishte i vogël, kushtet për të luajtur basketboll ishin shumë më të këqija. Por ky grup njerëzish, lidhen me njëri tjetrin nga historia e suksesit. Secili nga këta kampionë kam marrë përsipër të marrin në patronazh palestrat dhe t’iu vihen në dispozicion të prindërve dhe fëmijëve që të mësojnë basketbollin. Të konsumohen orët e lira në një aktivitet që është përtej rezultatit të ndeshjes. Kjo është rëndësia e të qenit pjesë e një skuadre. Dhe përmes qytetarit është dhe marrja me politike, e kjo ka ardhur kur njerëzit nuk zgjidhnin dot problemet të sigurisë, apo të problemeve të tyre e nga shoqëria ku njeriu ha njeriun erdhëm sot tek demokracia,” – theksoi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

