Bayerni bën gati ofertën për portierin holandez
Bayern Munich ka nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm dhe në krye të listës për portën është Bart Verbruggen. Sipas raportimeve të “talkSPORT”, gardiani i Brighton konsiderohet një nga objektivat kryesorë të klubit bavarez, në një moment kur e ardhmja e Manuel Neuer mbetet e paqartë. Kontrata e veteranit gjerman përfundon në qershor dhe drejtuesit në “Allianz Arena” po shqyrtojnë alternativat për të ardhmen.
Verbruggen, portieri i kombëtares së Holandës, do të mbushë 24 vjeç në muajin gusht dhe prej kohësh është vlerësuar nga skautët e Bayernit si një profil me potencial për të marrë përgjegjësinë e një klubi të madh evropian.
Në anën tjetër, Brighton e ndjek situatën pa alarm. Klubi anglez e bleu portierin nga Anderlecht në vitin 2023 për 16 milionë paund dhe është i vetëdijshëm se mund të sigurojë një fitim të konsiderueshëm nëse vendos ta shesë. Për më tepër, “Pulëbardhat” kanë përgatitur terrenin për çdo eventualitet.
Carl Rushworth, ish-portier i Anglisë U-21, po zhvillon një sezon mbresëlënës në Championship me Coventry City. Ai ka luajtur të 31 ndeshjet e kampionatit dhe ka mbajtur 10 herë portën të paprekur, duke u konsideruar një alternativë serioze për të ardhmen.
Ndërkohë, Verbruggen ka qenë titullar në të 25 ndeshjet e Brighton në Premier League këtë sezon, por ka regjistruar vetëm pesë “clean sheet”, me të fundit më 3 janar ndaj Burnley.
KOHA JONË SONDAZH

