Bayerni dhe Atletico hipotekojnë kualifikimin, Barcelona ndalet ndaj Newcastle
Bayerni ka dhuruar një paraqitje spektakolare në transfertë ndaj Atalanta BC, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-1 në përballjen e zhvilluar në stadiumin Gewiss Stadium, në kuadër të UEFA Champions League. Avantazhi erdhi në minutën e 12-të, kur pas një goditjeje nga këndi Serge Gnabry asistoi për Josip Stanisic që shënoi për 1-0. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Michael Olise dyfishoi shifrat me një goditje të saktë, ndërsa në minutën e 25-të Gnabry realizoi golin e tretë pas asistit të Olise.
Në pjesën e dytë dominimi i gjermanëve u thellua edhe më shumë. Nicolas Jackson shënoi golin e katërt në minutën e 52-të pas pasimit të Luis Díaz. Më pas ishte sërish Olise që realizoi për 5-0 në minutën e 64-t, ndërsa Jamal Musiala shënoi golin e gjashtë vetëm tre minuta më vonë. Në kohën shtesë, Mario Pašalić realizoi golin e nderit për Atalantën.
Atletico Madrid ka hedhur një hap të madh drejt çerekfinaleve të Champions League, pasi mposhti Tottenham Hotspur me rezultatin 5-2 në ndeshjen e parë të 1/8-ës së finales, në Metropolitano Stadium.
Skuadra madrilene e nisi ndeshjen në mënyrë të furishme dhe kaloi në avantazh që në minutën e 5-të me golin e Marcos Llorente. Presioni i vendasve vazhdoi dhe Antoine Griezmann dyfishoi shifrat, ndërsa më pas ishte sërish Álvarez që realizoi golin e tretë duke përfituar nga një gabim i portierit Antonín Kinský.
Goli i katërt erdhi nga mbrojtësi Robin Le Normand, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje standarde. Tottenham reagoi në fundin e pjesës së parë me golin e Pedro Porro për 4-1. Në pjesën e dytë, madrilenët shënuan sërish me Álvarez pas një kundërsulmi të nisur nga portieri Jan Oblak, ndërsa në fund Dominic Solanke realizoi golin e dytë për londinezët. Fitorja 5-2 e afron shumë Atleticon me kualifikimin para ndeshjes së kthimit në Londër.

Përballja mes Barcelonws dhe Newcastle United, e vlefshme për fazën e 1/8-ës së finales në UEFA Champions League, u mbyll në barazim 1-1 në stadiumin St James’ Park. Ndeshja dukej se po shkonte drejt një fitoreje të vendasve, pasi anglezët kaluan në avantazh në minutën e 86-të. Harvey Barnes shfrytëzoi një krosim të saktë nga Jacob Murphy dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në tribunat e stadiumit.
Megjithatë, reagimi i katalanasve erdhi në momentet e fundit të shtesës. Në minutën e 90+6, gjyqtari akordoi një penallti për Barcelonën, të cilën e shndërroi në gol talenti i ri spanjoll Lamine Yamal, duke vendosur baraspeshën dhe duke mbajtur të hapur kualifikimin.

KOHA JONË SONDAZH

