Bayerni “grabit” sërish Leipzig, u merr edhe kapitenin
Bayerni vijon të “bastisë” rivalët e tij më të fortë dhe pas një gare të ethshme për titullin kampion me Leipzigun sezonin e kaluar, u ka rrëmbyer këtyre të fundit dy elementë mjaft të rëndësishëm dhe tani është gati t’u marrë edhe një të tretë.
Pas trajnerit Julian Nagelsmann dhe mbrojtësit Dayot Upamecano, bavarezët kanë arritur marrëveshjen edhe me kapitenin e Leipzig, mesfushorin Marcel Sabitzer, transferimi i të cilit në “Allianz Stadium” është vetëm çështje orësh.
Lajmi konfirmohet nga mediat gjermane, sipas të cilave mesfushori 27-vjeçar austriak nuk ka preferuar të rinovojë kontratën me Leipzig dhe ka detyruar “demat” të shesin atë që këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero në fund të sezonit të ardhshëm. Bayerni nuk do të paguajë më shumë se 20 milionë euro për të “rrëmbyer” austriakun.
Me këtë lëvizje, klubi bavarez dobëson ndjeshëm rivalin për titull në sezonin e kaluar dhe në të njëjtën kohë vë në dispozicion të Nagelsmann një mesfushor të cilin trajneri e njeh mjaft mirë dhe që gjithashtu ka marrëdhënie mjaft të mira me golin.