Bayerni i vë ultimatum mbrojtësit Davies: Ke një javë kohë
Bayern Munich nuk ka ndërmend të presë më shumë Alphonso Davies. Anësori i majtë kanadez, një ndër më të mirët në rolin e tij, ka kontratë deri në 2025 me bavarezët. Deri tani ka refuzuar ofertat e rinovimit, ndërkohë që e ardhmja e tij lidhet me Realin e Madridit, dëshirë që e ka shprehur publikisht menaxheri i tij.
Rekordmenët e futbollit gjerman i kanë ofruar 23-vjeçarit zgjatjen e bashkëpunimit deri në 2029. Kontratë nga e cila do të përfitojë rreth 14 mln euro neto në sezon!
Drejtuesit e Bayernit, të lodhur nga lojërat e Davies, i kanë vendosur ultimatumin final këtij të fundit. Lojtari ka një javë kohë për të marrë vendimin përfundimtar. Nëse do të rinovojë apo jo.
Mbrojtësi kërkon 20 mln euro neto në sezon nga kontrata e re. Nëse rinovimi nuk vjen, atëherë Bayerni do të detyrohet ta shesë në verë, për të mos e humbur me parametra zero në 2025.
Çmimi i kartonit vlerësohet rreth 50 mln euro, duke llogaritur që i ka mbetur edhe një vit kontratë me skuadrën gjermane, ku luan prej janarit të vitit 2019.