Bejkush Birçe: Armand Duka, merita kryesore e kualifikimit historik

 
Bejkush Birçe, ish-trajner i kombëtares sonë në fillim të viteve 90’, thotë se ndoshta tani u plotësuan kushtet dhe rrethanat që më në fund, ndonëse vonë, Shqipëria ia doli të kualifikohet në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”.  Birçe shprehet se nuk ka qenë i rastësishëm kualifikimi, por falë përpjekjeve dhe këmbënguljes për të prekur ëndrrën e madhe të shqiptarëve, ku përveç lojtarëve dhe trajnerit, ai i vë një meritë të madhe edhe presidentit  të FSHF-së, Armand Duka. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Birçe vlerëson edhe rolin e kryeministrit Edi Rama, që ka qëndruar gjithnjë afër ekipit kombëtar të futbollit, si askush tjetër më parë, ndërtoi edhe stadiumet në kohë rekord, duke u dhënë motivin e duhur kuqezinjve për të prekur këtë sukses historik:  
 
Zoti Birçe, si e vlerësoni suksesin historik të kombëtares?
Padyshim, është  një sukses i madh për Shqipërinë. Jo vetëm sepse arrin për herë të parë, duke thyer “akullin” që për shumë dekada  e ka synuar atë, por duhet marrë parasysh edhe shkalla e vështirësisë. Nuk është e lehtë për një komb të vogël si Shqipëria, të lërë pas në garë skuadra të tjera të mëdha, me eksperiencë dhe të kalojë para tyre, duke u kualifikuar. Duke ditur numrin e skuadrave pjesëmarrëse dhe të atyre që ngelen jashtë, qoftë në grupin tonë apo edhe grupet e tjera, kualifikimi i Kombëtares së Shqipërisë është një arritje e jashtëzakonshme edhe për Europën .
 
Meritë e kujt besoni se  është ky suskes?   
Besoj se meritë kanë të gjithë, lojtarët, stafi dhe drejtuesit e ekipit kombëtar.  Edhe me të drejtë është festuar gjerësisht edhe nga tifozët tanë.  Por nëse është thënë se meritë ka trajneri, po ashtu edhe lojtarët, është harruar të thuhet se cili ishte roli i FSHF-së dhe i presidentit Duka, në këtë sukses.
 
Ku qëndron merita e presidentit Armand Duka?
Ishte mireorganizimi  që ka bërë në tërë këto vite, sidoemos për ekipin kombëtar dhe përpjekjet e vazhdueshme gjatë gjithë kohës që ai drejton futbollin shqiptar, që kanë sjellë edhe edhe arritjen e fundit të kualifikimit. Mos harrojmë se kanë qenë politikat e FSHF-së, qoftë për përzgjedhjen e trajnerit, të afrimit të lojtarëve të duhur dhe vizioni i Armando Dukës, që shtriu ekipin kombëtar kudo ka shqiptarë. Pa me dashje dashje nuk përmendet, se kjo kombëtare në kohën e tij fitoi edhe mbështetje massive nga të gjitha trofejt, duke afruar lojtarë shqiptarë që ishin rritur në Europë,  për të arritur në finalet e Europianit. Si mund të mos jetë meritë e të parit, ky sukses? Të njëjtin suskes duhet të ketë Shqipëria në të gjitha aspektet dhe padyshim kjo arrihet me anë të një drejtuesve të zotë. Prandaj për mendimin tim, Duka ka meritën kryesore në këtë arritje.
 
Ndërkohë që është festuar nga mijëra tifozë suksesi i kombëtares sonë. Por ka pasur kritika se politika u përpoq që të përfitonte kapital nga ky sukses?
Nuk është e vërtetë. Ka qenë kryeministri Edi Rama ai që ka dalë në pritje të kombëtares sonë që në aeroport dhe më pas ka pritur ekipin edhe në kryeminsitri për ta uruar para popullit. Ata që e kritikojnë nuk shohin, janë të verbër. Po të mos kishte dalë t’i priste, do të thonin se i ka injoruar. Kryeministri nuk i ka qëndruar pranë ekipit vetëm në momentin e suksesit, por edhe më parë. I ka përkrahur dhe i ka motivuar ata, për ta arritur atë dhe ka edhe ai meritën e tij. Sporti është me fat që ka një ish-sportist në krye të qeverisë, që po ashtu është edhe artist. Dhe duke gërshetuar këto aspekte, ai në një kohë rekord bëri të mundur ndërtimin në kohë rekord të stadiumit të Elbasanit, ku luan sot ndeshjet kombëtarja jonë. Po ndërtohet edhe stadiumi i Shkodrës dhe pritet të ndërtohet një stadium tjetër më i madh në Tiranë. Kjo ndodh në një kohë kaq të shkurtër, kur dy vjet më parë rrezikonim t’i luanim ndeshjet në vendet e tjera të Ballkanit. Kush, nuk do t’i shohë këto arritje, lë të mbyllë sot dhe të flasë pa pushim nëpër ekranet e televizionit.
 
Shqipëria është kualifikuar tashmë në Francë, por po diskutohet e ardhmja e trajnerit. Ju mendoni se trajneri Gianni de Biasi duhet t’i rinovohet kontrata?
Gianni de Biasi ëshët trajner i Shqipërisë. Do të jetë trajner i Shqipërisë edhe në finalet e Kampionatit francez, sepse nuk mund të ndryshohet trajneri pas një suksesi, kur rruga që ai ka nisur mbyllet në Francë. Më pas, posti nuk është i përjetshëm. Do të jetë paraqitja e ekipit tonë në Europian, apo kërkesa të ndryshme të tjera,  që mendoj se do të vendosin të ardhmen e tij.
 
Do të jetë e vështirë që kombëtarja ta përsërisë suksesin edhe në finalet e Francës, apo në eliminatoret e ardhshme të Kupës së Botës, pasi nuk ka marrë pjesë as në një event të tillë? 
Nuk mund ta parashikoj. E rëndësishme është se suksesin që prisnin me vite e dekada, e arritëm. Tani duhet të shohim para, për të hedhur hapa të tjerë të rëndësishëm.   
 
Intervistoi: Aranit Muraçi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?