Belgjika fiton me vuajtje ndaj Kanadasë, vendosin Batshuayi dhe Courtois (VIDEO)

Belgjika vuan shumë, por merr një fitore shumë të rëndësishme përballë Kanadasë. Edhe pse me lojtarë me shumë emër, në fushë do të ishin kanadezët që do të bënin ligjin për pjesën më të madhe.

Në minutën e 11-të, arbitri pasi u konsultua me VAR akordoi 11-metërsh pas një kontakti të topit me dorë nga Carrasco. Davies shkoi për ta ekzekutuar, por Courtois i kuptoi mjaft mirë krahun duke e ndalur.

Kanadaja nuk u ndal me kaq, pasi do të krijonte mundësi të tjera shumë të mira, por David apo Davies ishin pak të qartë para portës.

Belgjika nga ana tjetër goditi që me rastin e parë. Në minutën e 44-t, Mitshy Batshuayi përfiton nga përgjumja e mbrojtjes kanadeze duke kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Në pjesën e dytë pritej një Kanada më agresive, por në fakt ritmi i tyre do të binte ndjeshëm me kalimin e minutave, ndërkohë që belgët kundërsulmonin rrezikshëm me De Bruyne. Interesant është fakti që Kanadaja krijoi 21 mundësi shënimi, thuajse sa trefishi i rivalëve, vetëm 9. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP