Benitez drejt Real Madrid, Ancelotti pranë stolit të Milan
Zhvillime të rëndësishme në stolin e Milan dhe të Real Madrid. Në prag të mbylljes së kampionatit, si Reali i Madridit, ashtu edhe Milan, janë duke menduar për të zëvendësuar trajnerët. Largimi i Carlo Ancelotti nga Reali mund t’i hapë rrugë rikthimit të tij tek Milan. Rafa Benitez shihet si pasues i Carlo Ancelottit, në stolin e Realit. Sipas medieve spanjolle, ndeshja e djeshme me Getafe mund të ishte e fundit për Ancelotti si trajner i Realit të Madridit. Sipas “Sky” me 99 për qind Ancelotti do të jetë trajner i i ri i Milan. Presidenti Silvio Berlusconi nuk e ka zbardhur emrin e ri që do të pasojë trajnerin aktual Pippo Inzaghi. Por ai konfirmoi se nëse Ancelotti do të largohet nga Reali dhe do të lihet i lirë, do të jetë trajneri i ri i Milanit. Megjithatë, për Milan ka edhe alternativa të tjera. Presidenti Silvio Berlusconi kërkon një Milan “Made in Italy” dhe puna për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes sapo ka nisur. Pjesa më delikate sigurisht që është struktura e niveleve drejtuese dhe në këtë aspekt tifozët nuk duhet të krijojnë iluzione për afrimin e trajnerëve që nëpër Europë kanë lënë gjurmë. Jurgen Klopp dhe Unai Emery nuk do të ulen në stolin kuqezi, sepse marka italiane mban radhën e parë në zgjedhjet e Berlusconit. Ancelotti nëse nuk bindet, rruga të çon te Vincenzo Montella që duket më e shkurtër. Fiorentina kërkon 5 milionë Euro për ta lënë të lirë por bisedimet mes dy klubeve mund t’i detyrojnë drejtuesit toskanë të heqin dorë nga ky pretendim. Në rast se Montella nuk do të arrijë të lirohet nga detyrimet kontraktuale me Fiorentinën, alternativë është dyshja Lippi-Brochi. Ish trajneri i kombëtares është adresuar për postin e drejtorit teknik, ndërsa ish-mesfushori mbetet ende në radarin e drejtuesve të Milan. Një dyshe që kombinon energjinë e Brocchit me aftësinë menaxheriale të Lippit, i cili do të ketë dorë të lirë të vendosë për parametrat teknikë të skuadrës. E gjithë kjo skemë do të koordinohet nga Adriano Galliani me të cilin Lippi ka ruajtur një marrëdhënie të shkëlqyer. Plani B për ringritjen e Milanit sapo ka nisur.
KOHA JONË SONDAZH

