Benzema përmbys me tripletë PSG dhe kualifikon Realin për në çerekfinale, City kënaqet me barazim (VIDEO)

Real Madridi tregon dhe njëherë se mbetet një skuadër eksperte në Champions League. Skuadra e Ancelottit bëri një përmbysje të çmendur 3-1 në Santiago Bernabeo, duke sfumuar humbjen 0-1 në duelin e parë. Protagonisti absolut i mbrëmjes është Karim Benzema me një tripletë personal.

Kylian Mbappe ishte fantastik edhe mbrëmjen e sotme duke zhbllokuar ndeshjen në minutën e 39-të me një super gol që erdhi nga një kundërsulm vrastar që vetëm ai mund ta bëjë. Sulmuesi francez do të gjente dhe golin e dytë, por që do të anulohej me VAR.

Në fraksionin e dytë, kur u duk se gjithçka kishte marrë fund për madrilenët, Donnarumma bën një gafë trashanike, duke i dhuruar topin Vinicius Junior, i cili gjeti Benzema me portën e boshatisur. PSG shthuret totalisht në mbrojtje duke lënë pafund hapësira për vendasit.

Benzema do të shënonte dy gola të tjerë duke përfituar nga përgjumja e francezëve. Fillimisht realizoi pas një asisti të Modric dhe pak sekonda më pas është sërish francezi që kompleton tripletën personale duke përfituar nga një gafë e skuadrës parisiene. Shumë i vakët reagimi nga PSG, teksa asgjë nuk do të ndryshonte deri në fund.

Manchester City ashtu siç edhe pritej e kthehu thjeshtë në formalitet duelin e kthimit ndaj Sportingut, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola. Fitorja 5-0 në duelin e parë i dha qetësinë e nevojshme ekipit të Guardiolës që ta menaxhonte më së miri ndeshjen. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP