Intervista/ Beqja: Vlerësim maksimal për Lushnjën, ja “sekreti” i fitoreve

Intervistoi: Rozalb Lika

Kategoria Superiore do të luajë për këtë sezon 180 minutat e fundit, të cilat do të jenë vendimtare për fatin e disa skuadrave që synojnë një vend në zonën europiane, por mbi të gjitha për ekipet të tjera që synojnë mbijetesën. Teuta synon që të marrë pikën e fundit që i siguron mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Një ndër protagonistët e këtij sezoni, Fabjan Beqja ka dhënë një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ku ka folur për ecurinë e ekipit durrsak. Mbrojtësi ka luajtur në disa role gjatë këtij sezoni, por ai e pranon se roli i tij natyral mbetet krahu i djathtë. Lidhur me duelin e radhës ndaj Lushnjës, ai është shprehur se ekipi i tij do të futet në fushë për të dhënë maksimumin.

Nesër keni mundësinë për të siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore, si është gjendja e ekipit për përballjen ndaj Lushnjës?

Ekipi është në formë shumë të mirë sepse ndihemi edhe më të qetë pas pikëve të marra në javët e fundit. Gjithsesi vlerësimi për Lushnjën është maksimal sepse na kanë hapur shumë probleme këtë sezon.

Duke qëndruar në këtë aspekt, në fakt këtë sezon ata ju kanë marrë një fitore dhe një barazim. A ka pasur këshilla të veçanta nga trajneri për të mos t’i nënvlerësuar?

Këshilla ka pasur që në ndeshjen e parë që kemi luajtur ndaj Lushnjës, sepse ekipet që janë të dobëta në letër të hapin gjithmonë probleme në lojë. Nënvlerësimi të çon në rezultate jo pozitive.

Teuta ka pasur një ecuri si për “titull” në 4 javët e fundit, pasi ka 3 fitore dhe një barazim. A ka ndonjë “sekret” për këtë vazhdimësi?

Sekret nuk mund të them, di të them që frika për rënien nga kategoria, si dhe pesha e madhe për një rënie të mundshme, bën që ekipi t’i vlerësonte ndeshjet 200 për qind. Kjo mendoj se na solli këtu ku jemi sot, falë punës dhe vlerësimit maksimal.

Në nivelin personal, si e vlerësoni këtë sezon?

Sezoni për mua personalisht ka qenë i vështirë se kam ndërruar shumë pozicione dhe duke pasur parasysh ecurinë negative të ekipit, për çdo lojtar nuk është një ecuri e mirë. Jemi djem të rinj dhe mendoj se ka qenë e vështirë, por nuk mund të them që ka shkuar keq. Do të ishte mirë që të kishim marrë disa pikë më shumë. Kur gjërat shkojnë mirë për ekipin, edhe për mua në nivelin individual kanë shkuar mirë.

Di që keni pasur një raport të veçantë me Maganin, a vijoni të ruani kontaktet? Ju vjen keq iku në mesin e sezonit?

Kam pasur gjithmonë raporte të mira me profesor Maganin, ai më ka afruar në ekipin e parë dhe më ka ndihmuar shumë. Më ka ardhur shumë keq që shkuan punët keq për të dhe ekipin. Ruajmë marrëdhënie të mira, por nuk kam pasur kontakte sepse ai është larguar në kampionatin kosovar.

Lidhur me të ardhmen, a keni pasur oferta nga Superiorja ose nga jashtë?

Për të ardhmen nuk mund të flas shumë, pasi jam nën kontratë me ekipin e Teutës.

Cili nga futbollistët kundërshtarë ju ka hapur më shumë probleme këtë sezon?

Në rolin e mbrojtësit që kam qenë në dy fazat e para mund të them se ka qenë Abazaj dhe Gavazaj.

Kush mendoni se mbijeton këtë sezon në Superiore, Kamza apo Vllaznia?

Për këtë pyetje nuk kam ndonjë përgjigje. Duhet t’ia lëmë ndeshjeve dhe të shohim …

SHKARKO APP