Berisha: Gati për “luftë” ndaj Çekisë, duam të vijojmë ëndrrën

Valon Berisha e cilëson shumë të rëndësishme sfidën ndaj Çekisë, që do të luhet nesër në mbrëmje. Mesfushori që aktivizohet te Lazio në Italipranoi se “Dardanët” i pret “lufta”, por ata kanë shansin e madh për të shkruar historinë me Kosovën.

 

“Unë jam i gatshëm të jap maksimumin për Kosovën. Edhe nëse nuk luaj shumë me ekipin tim, pra nuk kam shumë minuta në këmbë, kur vij për Kosovën jap gjithçka, por për formacionin normal që vendos trajneri. Atmosfera është e mirë, por mungesa e Muriqit është e madhe, edhe Herolindi mbetet në pikëpyetje. Probleme të tilla kemi patur në vazhdimësi. Ata që do të futën në fushë për të zëvendësuar të lënduarit do të japin më të mirën.

Ne i kemi shanset për t’u kualifikuar, i kemi mposhtur në shtëpinë tonë dhe kjo ndeshje e radhës është si finale për ne. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, sepse çekët janë të fortë, krijuan shumë raste edhe në Prishtinë, por jemi gati për këtë luftë, sepse e tillë do të jetë nga fillimi deri në fund. Do të ketë një lojë tepër fizike.

Unë nuk jam tip që besoj në presion, sepse në këtë pozitë vjen me punë, pra për ta bërë ëndrrën realitet. Askush nuk e beson që Kosova është kombëtare vetëm prej tre vjetësh dhe kemi arritur deri këtu, prandaj ne nuk shohim presionin, por faktin që ne e kemi fatin për ta përfaqësuar vendin tonë. Ne nuk shikojmë çfarë mendojnë njerëzit, por punën tonë. Ne e shohim vetëm ëndrrën për ta çuar Kosovën përpara.

Si finale? Çdo lojë ka qenë një finale edhe për ne për ta vazhduar ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian. Kjo është ndeshja më  rëndësishme për Kosovën deri tani. Por nuk duhet t’i ushtrojmë vetes presion për këtë”, deklaroi Berisha.

SHKARKO APP