Besëlidhja e basketbollit shkruan historinë, shpallet për herë të dytë radhazi kampione e Shqipërisë
Basketbolli shqiptar për meshkuj ka vetëm një emër: Besëlidhja e Lezhës. Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali ka shkruar një tjetër kapitull të lavdishëm në historinë e saj, duke fituar titullin e dytë kampion radhazi në Superligën shqiptare, dhe këtë herë në mënyrën më spektakolare të mundshme – me dominim total gjatë gjithë sezonit dhe me një epërsi të ndjeshme në finalet e “play-off”-it.
Finale “pa shumë histori”: 3 ndeshje, 3 fitore bindëse
Besëlidhja mbylli serinë finale ndaj Teutës me rezultatin 3-0, duke shënuar mbi 120 pikë në secilën ndeshje dhe duke fituar me diferenca që nuk janë të zakonshme për një nivel finalesh.

Diferenca totale: +186 pikë në tre finale.
Këto numra flasin qartë për një dominim absolut dhe një hendek të thellë mes kampionëve dhe pjesës tjetër të elitës së basketbollit shqiptar.

Një finale e kthyer në spektakël
Në mbrëmjen e së enjtes, në “Pallatin e Sportit Asllan Rusi” në Tiranë, Besëlidhja u shfaq si një “makineri” e pandalshme, duke “shkatërruar” Teutën me rezultatin 134-64, fitorja më e thellë e serisë.
Marvin Prodan, me 31 pikë, ishte lojtari më i mirë i finales, por triumfi ishte fryt i një skuadre të organizuar, të harmonizuar dhe të etur për sukses.
Besëlidhja dominoi të katër periodat:
Çereku 1: 35-20
Çereku 2: 31-16
Çereku 3: 42-16
Çereku 4: 26-12

Një titull i merituar, një model për t’u ndjekur
Triumfi i këtij sezoni është, pa dyshim, më i lehti në histori për nga mënyra se si u arrit, por kjo nuk ia ul aspak vlerën. Përkundrazi, Besëlidhja po vendos standarde të reja për profesionalizëm, cilësi dhe vazhdimësi. Trajneri Afrim Bilali, me vizionin dhe metodologjinë e tij, ka ndërtuar një grup që jo vetëm fiton, por dominon në çdo aspekt të lojës.
E ardhmja? E hapur për rekorde të reja
Me një grup të konsoliduar, një president si Ylli Ujka që po bën investime të mëdha në këtë projekt, Besëlidhja po shndërrohet në një simbol të suksesit dhe stabilitetit në sportin shqiptar. Nëse vazhdon në këtë ritëm, Besëlidhja jo vetëm që mund të ruajë fronin edhe në vitet në vijim, por edhe të përpiqet për sfida më të mëdha, ndoshta edhe në skenën ndërkombëtare. /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

