Besëlidhja synon historinë në Ligën Unike, presidenti Ujka: Ju presim të gjithëve!
Kampionët në fuqi të Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Besëlidhja, janë gati për një tjetër sfidë të rëndësishme. Pas dy sezoneve radhazi si dominues absolut në skenën kombëtare, skuadra lezhjane synon të kurorëzojë suksesin edhe në finalen e Liga Unike, e cila këtë vit zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Ndeshja finale do të luhet sot, ora 19:00, në Parkun Olimpik të Tiranës, në sallën Feti Borova, ku pritet një atmosferë elektrizuese dhe një pjesëmarrje masive e tifozëve.
Në prag të kësaj përballjeje historike, presidenti i Besëlidhjes, Ylli Ujka, ka reaguar me një mesazh të fortë dhe motivues: “Kjo është më shumë se një ndeshje. Është një moment që përfaqëson punën, sakrificën dhe shpirtin garues të këtij ekipi. Kemi arritur shumë në këto dy vite, por etja për sukses nuk ndalet këtu. Finalja e Ligës Unike është një mundësi për të treguar se Besëlidhja nuk është vetëm kampione e Shqipërisë, por një ekip që meriton të jetë në majën e basketbollit rajonal.
Ftojmë çdo sportdashës, çdo familje shqiptare, të jetë pranë nesh në këtë sfidë. Kur luan Besëlidhja, nuk përfaqësohet vetëm Lezha, por e gjithë Shqipëria. Kemi nevojë për energjinë e publikut për ta kthyer këtë finale në një festë të vërtetë kombëtare”, deklaroi
Me hyrje të lirë për të gjithë, organizatorët presin një mbështetje të jashtëzakonshme në shkallët e sallës, ndërsa skuadra synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj. Besëlidhja vjen në këtë finale me statusin e favoritit, por mbi të gjitha me një mision: të konfirmojë dominimin dhe të sjellë një tjetër trofe në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

