Besnik Hasi rinovon deri më 2017, Anderlecht: Respekte, një profesionisti! (Foto)

Anderlecht është klubi më i madh belg, si dhe një ndër klubet e njohura në Europë.  Prej një viti kjo skuadër udhëhiqet nga një ish-lojtar i kombëtares shqiptare, Besnik Hasi. Ish-lojtar i Anderlecht, pas karrierës, nuk u lejua të largohet nga Anderlecht, pasi punoi për tre sezone asistent trajner, para se t’i besohet stoli. Edhe si trajner kur ende nuk ka kaluar një vit, klubi belg i ka besuar maksimalisht Besnik Hasit, duke i rinovuar kontratën deri në vitin 2017. Dhe Belgjika, një vend me futboll të zhvilluar dhe që ka nxjerrë  lojtarë të shquar në arenën ndërkombëtare, me këtë vlerësim që i bën Hasit, i jep një “shuplakë të fortë” mënyrës sesi vlerësohen ish-lojtarë të shquar dhe trajnerët në Shqipëri. Asnjë trajner në vendin tonë nuk ka mundur të qëndrojë më tepër se një sezon në një ekip dhe madje ka ekipe që ndërrojnë tre apo katër trajner brenda një sezoni. Por praktika të tilla, që ndiqen në Shqipëri, nuk mund të kuptohet se pse, nuk kanë lidhje me klube profesioniste që dinë të vlerësojnë një shqiptar, madje më mirë dhe më tepër se ç’mund të ndodhte në Shqipëri. Kësisoj, nëse pas eliminatoreve “Euro 2016”, Shqipëria do të kërkojë të ulë një trajner shqiptar në stolin kuqezi, nuk do ta ketë në dispozicion atë që përflitej se mund të pasonte Gianni de Biasin. Menaxheri i klubit të Anderlecht, Roger Vanden Stock, konfirmoi se Besnik Hasi dhe kontrata e tij me klubin belg do të zgjasë deri në fund të vitit 2017. Trajneri 43-vjeçar i Anderlehtit kishte një kontratë para se të rinovonte deri në 2016. – “Ky është padyshim një shenjë respekti,” – thekson Hasi. – “Unë i kërkova klubit që të rinovoja kontratën time dhe  kjo kërkesë më është pranuar menjëherë,” – shtoi ai, i cili më 10 mars të vitit të kaluar pasoi në stol John van den Brom, dhe pastaj e çoi Anderlecht drejt titullit të 33-të kampion në histori, diçka e papritur, për faktin se diferenca me kryesuesit ishte disi e madhe. – “Jam gjithashtu shumë i lumtur me këtë ekip. Kjo është padyshim një shenjë respekti. Klubi dëshmon se mbetet i kënaqur me punën që bëj këtu. Qëllimi im është  të bëj më të mirën me këtë ekip.  Shpresoj që  Anderlecht ta ndihmoj të fitojë sa më shumë tituj. Gjithashtu dua të promovoj lojtarët tanë të rinj, të gatshëm për ekipin e parë dhe për një karrierë të dobishme. Bashkëpunimi im deri tani me Anderlecht është i shkëlqyer. Shpresoj se mund të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen.” Po ashtu, edhe klubi shpreh respekt maksimal ndaj tij. – “Ne duam të vazhdojmë sa më gjatë me Hasin, dhe kjo është padyshim një formë respekti,” – tha menaxheri Herman Van Holsbeeck. – “Ai ka një program të mirë. Në fillim ishte në klub për disa vite si asistent trajner, për të marrë më pas ekipin edhe si trajner. Hasi është një nga ata trajnerë që i bën lojtarët e rinj edhe më të mirë,” shprehet drejtuesi i klubit belg. Kështu ndodh, aty ku flitet me gjuhën e rezultateve, të punës e profesionalizmit, për të cilin Besnik Hasi pa mëdyshje ishte shembull, edhe kur mbronte ngjyrat kuqezi.

A.M/Koha Jonë

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?