Bilanci i festës së Championsit në Paris/ Dy të vdekur dhe qindra të arrestuar
Fitorja historike e PSG ndaj Interit me rezultatin 5-0 në finalen e Champions League ka shkaktuar një valë festimesh në të gjithë Parisin dhe përtej tij.
Tifozët parisienë dolën masivisht në rrugë, veçanërisht në bulevardin Champs-Elysees dhe në periferi të qytetit, duke e kthyer natën e triumfit në një mbrëmje të shënuar edhe nga incidente të rënda dhe akte dhune.
Bilanci i kësaj nate të trazuar është i rëndë: dy persona kanë humbur jetën. Në qytetin Dax, në jugperëndim të Francës, një person është vrarë me thikë gjatë një përleshjeje, ndërsa në Paris ka ndodhur një aksident fatal me skuter që i mori jetën një të riu.
Përveç këtyre ngjarjeve tragjike, autoritetet raportojnë një numër të madh arrestimesh. Prefekti i Parisit, Laurent Nunez, në një deklaratë për radion RTL, e përshkroi situatën si “plotësisht pa precedent” për sa i përket shkallës së dhunës dhe numrit të ndalimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, janë kryer gjithsej 563 arrestime, nga të cilat 491 vetëm në Paris. Policia ka ndaluar 323 persona, kryesisht për vjedhje nëpër dyqane dhe sjellje të dhunshme gjatë festimeve.
Autoritetet franceze vijojnë hetimet dhe kanë paralajmëruar masa të ashpra ndaj atyre që shfrytëzuan festimet për të kryer akte të paligjshme.
KOHA JONË SONDAZH

