Bileta “on-line” ndaj Armenisë, Memushaj shton dilemat e de Biasit
Shqipëria ndaj Armenisë do të luajë ndeshjen e dytë ndërkombëtare në “Elbasan Arena”, ku synon të shënojë fitoren e parë, pas barazimit 1-1 me Danimarkën që shënoi në premierën e vjeshtës së kaluar kur edhe u inaugurua stadiumi i ri i kombëtares sonë. Për ndeshjen e dytë biletat kanë dalë në shitje, me një risi, pasi FSHF ka vënë në dispozicion të tifozëve bileta “on-line”. Biletat në shitje, janë me këto çmime:
Tribuna F: 2.000 lekë
Tribuna G1: 1.500 lekë
Tribuna G2: 1.000 lekë
Kjo praktikë është bërë për t’iu ardhur në ndihmë tifozëve që jetojnë jashtë vendit dhe që hasin vështirësi në gjetjen e një bilete, pasi në ditën e parë që dalin në treg ato përfundojnë në tregun e zi dhe në ditën e ndeshjes çmimi shkon disa herë më i lartë.
Anti-Armenia, Memushaj shton dilamat e de Biazit
Pas ndeshjeve të javës së 29-të në Seria B, kur mbeten edhe 12 javë deri në mbyllje të garës, Pescara ku luan mesfushori i kombëtares sonë, Ledian Memushaj është në garë për t’u ngjitur në një kategori më lart. Pescara ndodhet aktualisht në zonën “play-off”, me 42 pikë, por vetëm 6 pikë larg Bolonjës që mban vendin e dytë dhe ngjitet automatikisht në Seria A. Ledian Memushaj nuk i gëzohet vetëm këtij fakti, por edhe se ai po luan një rol vendimtar në ecurinë dhe sukseset e skuadrës së tij. Memushaj shënoi golin e parë në favor të Pescara, në ndeshjen që skuadra e tij fitoi 2-1 të martën në mbrëmje, ndaj Crotones. Mesfushorit vlonjat iu besua një 11-metërsh në pjesën e parë që e ktheu në gol dhe pavarësisht barazimit të miqve, Pescara fitoi në fund, 2-1. Mediat italiane kanë vlerësuar lojën dhe paraqitjen e mesfushorit Memushaj, i cili është thirrur nga trajneri Gianni de Biasi në disa miqësore gjatë vitit të kaluar. Për shkak dëmtimi ai humbi vendin në kombëtare, por në vigjilje të ndeshjes me Armeninë, Memushaj po shfaqet vendimtar tek skuadra e tij, në sytë e de Biasit. Në këto kushte trajnerit italian i janë shtuar dilemat e listës që po përpilohet në vigjilje të sfidës së 29 marsit, me armenët, në Elbasan. Kjo do të jetë ndeshja e katërt eliminatore e Shqipërisë në Euro 2016, pas fitores 1-0 me Portugalinë në transfertë, si dhe barazimit 1-1 me Danimarkën në Elbasan. Ndeshja e tretë që u zhvillua më 14 tetor në Beograd përfundoi me incidente dhe iu dha në tavolinë serbëve nga UEFA, ndërkohë Shqipëria shpreson që muajin tjetër të rimarrë trepikëshin e mohuar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
KOHA JONË SONDAZH

