Blendi Gonxhja: “Pasioni nuk njeh gjini”, gratë që po shkruajnë historinë e sportit shqiptar
Albert Vataj
Ministri Blendi Gonxhja, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Gruas”, ka ndarë në rrjetet sociale një video-promo që vë në qendër të vëmendjes angazhimin dhe suksesin e grave në disiplina të ndryshme sportive. Nën titullin domethënës “Pasioni nuk njeh gjini!”, mesazhi i ministrit shndërrohet në një thirrje sensibilizuese dhe njëherazi në një akt vlerësimi për vendin e merituar që gratë dhe vajzat kanë zënë në sportin shqiptar, duke e pasuruar këtë traditë me rezultate, dinjitet dhe me imazhin e shkëlqyer të shembullit.
Përmes një kolazhi vizual të ndërtuar me ritëm dhe intensitet emocional, ku shfaqen momente të përkushtimit, të përballjes dhe të triumfit sportiv, kjo video përcjell një energji që flet për vendosmërinë dhe karakterin e grave në sport. Nuk është thjesht një urim simbolik për këtë ditë, por një manifest i qartë për thyerjen e stereotipeve dhe për afirmimin e një realiteti të ri: sporti shqiptar sot mban edhe gjurmën e fuqishme të kontributit të grave.
Në këtë mesazh, ministri Gonxhja thekson se pas çdo medaljeje, pas çdo gare të fituar apo rekordi të thyer, qëndron një histori përkushtimi dhe sakrifice. Gratë dhe vajzat shqiptare që janë përfshirë në sport kanë dëshmuar se suksesi nuk përcaktohet nga gjinia, por nga disiplina, vullneti dhe pasioni i pakufishëm për të kapërcyer kufijtë. Ato kanë arritur të ndërtojnë një prani dinjitoze në arenat sportive, duke e shndërruar përfaqësimin e tyre në një burim frymëzimi për brezat e rinj.
Në këtë kuptim, iniciativa e ministrit nuk është vetëm një akt simbolik i lidhur me 8 Marsin, por edhe një afirmim institucional i meritokracisë në sport. Duke vënë në qendër sportistet shqiptare, ky mesazh i jep zë historive të suksesit që shpesh janë ndërtuar përmes sakrificave të mëdha dhe përballjes me paragjykime apo barriera kulturore.
Kështu, përmes motos “Pasioni nuk njeh gjini!”, kjo video-promo artikulon një ide të qartë: fusha e sportit është një hapësirë ku talenti dhe përkushtimi janë matësit e vetëm të vlerës. Gratë shqiptare që garojnë, stërviten dhe fitojnë nderojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe flamurin e sportit kombëtar, duke e kthyer çdo sukses në një dëshmi se barazia nuk është vetëm një aspiratë, por një realitet që ndërtohet çdo ditë në fushën e lojës.
KOHA JONË SONDAZH

