Bojkoti i Superiores, Rama: Teatër, nuk kam asnjë dijeni për kërkesat

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e Kategorisë Superiore, me kërkesë të Ligës Profesioniste të Futbollit. Kjo kërkesë e anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit erdhi si pasojë e mungesës së një reagimi nga Qeveria shqiptare për kërkesat e paraqitura nga Liga Profesioniste e Futbollit.

Kryeministri Rama në një prononcim për mediat tha se nuk ka asnjë dijeni për kërkesat.

“Nuk kam asnjë dijeni për kërkesat. Nuk kam pasur asnjë kërkesë zyrtare për të diskutuar. Kemi bërë një sërë ndryshimesh në funksion të sporteve dhe të futbollit në veçanti. Nëse ka dialog, ka mundësi për të parë më tutje”, deklaroi ai.

“Nëse mund të bëjmë diçka më shumë, jemi gati ta bëjmë. Por që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër në informalitet të plotë, të marrin rroga më të mëdha se të gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar, të deklarohen sikur janë punonjës fasonesh me rrogë minimale, kjo nuk mund të vazhdojë”, shtoi Rama.

Kërkesat e tyre për qeverinë janë: Të ulet TVSH në masën 6%, të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura, Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite si dhe të miratohet “Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve” pasi sipas tyre ligji aktual është “mashtrim”.

Kreu i qeverisë tha më tej për mediat se: “Kemi krijuar hapësirën që të mund të deklarojnë për një periudhë të caktuar pa paguar tatim fitimi, por ama duke qenë të detyruar të deklarojnë një pagë mbi një nivel të caktuar siç është në të vërtet. Ky teatër me klube dhe futbollistët që janë skllevër dhe nuk i paguajnë shtetit asgjë dhe janë në të zezë, duhet ta mbarojë”.

Në lidhje me bojkotin ai ka shtuar: “Duhet një qasje mirëkuptuese. Nëse bëhet fjalë për përmirësim, nuk ka problem. Kemi adresuar ato që kemi diskutuar. E mira s’ka fund. Le të vijnë, le të flasin. Kanë bojkotuar kampionatin, është vendimi i tyre. Nuk marrin urdhra nga ne dhe nuk mund t’i detyrojmë që të mos e bojkotojnë kampionatin.

Ata duhet ta mendojnë pse kanë kaq pak spektatorë, pse ka kaq shumë dhunë dhe pse dhe si mund të arsyetohet që qeveria dhe taksapaguesit shqiptarë duhet të rëndohen 10 vjet në funksion të çfarë? Çfarë është ky shembull banal qe i jepet shoqërisë. Një ligë superiore që jeton në informalitet të plotë dhe vepron në të zezë. Kur vjen puna për të marrë lekët, i merr edhe nga UEFA edhe nga rrugët e tjera.

Por nga ana tjetër duhet të kontribuojnë. Tavolina ime është gjithmonë e hapur për të gjithë. Nuk më duket e drejtë që t’i kërkohet qeverisë dhe shoqërisë që të suportojë më tutje këtë situatë. Këtu është diçka e bërë me bindje që të formalizohet futbolli. Po të marrim dhe të shikojmë shifrat sa ka bërë kjo qeveri, duhet të ketë një konsens dhe angazhim për të biseduar. Nuk jam unë që po shqetësohem se ata po bojkotojnë vetveten. Duan të bojkotojnë vetveten, malet e tyre më të larta”.

SHKARKO APP