Bologna eliminon Interin në Superkupën e Italisë, në finale sfidon Napolin
Bologna ka siguruar një biletë historike për në finalen e madhe të Superkupës italiane, pasi eliminoi Interin pas goditjeve të penalltive, duke u bashkuar me Napolin në aktin përfundimtar që do të luhet të hënën në orën 20:00.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe u zhbllokua që në minutën e dytë, kur Marcus Thuram shfrytëzoi në mënyrë perfekte një aksion të shkëlqyer të Alessandro Bastonit, duke dërguar topin në rrjetë nga shumë afër. Pavarësisht goditjes së hershme, Bologna nuk u dorëzua dhe vazhdoi të imponojë lojën e saj. Përpjekjet u shpërblyen pas gjysmë ore lojë, kur arbitri Chiffi, pas rishikimit me VAR, akordoi një penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga Bisseck. Nga pika e bardhë, Orsolini ishte i saktë dhe barazoi shifrat.
Në pjesën e dytë Interi shtoi presionin dhe krijoi disa raste të pastra shënimi. Një tjetër episod kyç erdhi kur Chiffi akordoi fillimisht penallti për faull ndaj Bonny-t, por vendimi u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it. Në minutat shtesë, portieri Martinez u bë protagonist duke ndalur një goditje vendimtare të Fabbian, duke e çuar ndeshjen drejt penalltive.
Nga pika e bardhë, pas shumë gabimesh nga të dyja ekipet, ishte Ciro Immobile ai që shënoi penalltinë vendimtare, duke mbajtur gjallë ëndrrën e Bolognës për një tjetër trofe në vitin 2025. Ndërkohë, për Chivu-n, shuhet mundësia për të luajtur finalen e parë në karrierë.
KOHA JONË SONDAZH

