Bomba artizanale i shpërtheu portierit, Interi ia hedh me një gjobë 50 mijë euro
Gjykatësi Sportiv ka ndëshkuar Interin me gjobë 50 mijë euro pas hedhjes së një bombe artizanale nga një tifoz zikaltër, e cila goditi portierin e Cremonese, Emil Audero.
Vendimi vjen pas pezullimit të transfertave për tifozët zikaltër deri më 23 mars nga Ministria e Brendshme. Bëhet fjalë për shumën maksimale të parashikuar si sanksion për një klub.
Sipas komunikatës, gjatë ndeshjes u hodhën materiale piroteknike (fishekzjarre dhe tymuese). Në minutën e 3-të të pjesës së dytë, shpërthimi i një fishekzjarri pranë një lojtari kundërshtar shkaktoi marramendje të përkohshme dhe ndërprerje të ndeshjes për rreth 3 minuta.
Gjykatësi vlerësoi si rrethana lehtësuese bashkëpunimin e klubit zikaltër për identifikimin e autorëve dhe distancimin e qartë nga incidenti. Në rast përsëritjeje, Interi rrezikon ndeshje pa tifozë, me sektorë të mbyllur, dyer të mbyllura ose pezullim fushe deri në dy vite.
KOHA JONË SONDAZH

