“Bomba” e mediave spanjolle: Hysaj është në agjendën e Barçës në verë
Nuk kanë fund zërat për të ardhmen e mbrojtësit Elseid Hysaj. Futbollisti i Kombëtares sonë vijon të mbetet në qendër të merkato së klubeve më të mëdha evropiane. Pas Juventusit, Çelsit, Junajtid, Arsenalit, Bajernit të Mynihut, është radha e Barcelonës që të shfaq interes për futbollistin aktual të Napolit.
Klubi blaugana do të vijojnë që të bëjë investime të mëdha në merkato e verës. Pas transferimit të Kutinjos dhe Ousmane Dembele, klubi blaugrana synon afrimin e futbollistëve të rinj dhe të një niveli të lartë. Faqja e njohur e transferimeve në Spanjë “fichajes.net”, shkruan se Hysaj është në listën e transferimeve të mundshme në verë nga trajneri Ernesto Valverde. “Anësori i Napolit ka fituar shumë siguri në vitet e fundit. Pavarësisht se nuk është një mbrojtës i majtë dhe nuk e ka si pikën e fortë, ai ka treguar se mund të luajë në disa pozicione. Me të mund të zgjidhen shumë gjëra në repartin e mbrojtjes, pasi ai është i aftë për të mbuluar disa role”, shkruan faqja e njohur spanjolle.
Futbollisti i Kombëtares sonë nuk është dëshira e vetme e klubit blaugrana, pasi në listën e tyre është edhe Marko Verrati në mesfushë, ndërkohë që një alternativë e mirë është dhe Embalo nga Benfika. Këtë sezon Hysaj është aktivizuar në total në 31 ndeshje me Napolin, duke qenë gjithmonë në fushë, si në të majtë apo në të djathtë të mbrojtjes. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

