“Bomba” nga Brazili, OBSH kërkon që futbolli të ndalet deri në fund të vitit 2021
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka organizuar një video-konferencë private me UEFA-n dhe përfaqësues nga klube të mëdha evropiane për të diskutuar të ardhmen e kalendarit të futbollit duke u ndikuar nga pandemia e koronavirusit. Për agjencinë e Kombeve të Bashkuara – raporton e përjavshmja braziliane Veja në faqen e saj të internetit – skenari ideal do të ishte pezullimi i kompeticoneve ndërkombëtare deri në fund të vitit 2021.
Masa mund të duket e çuditshme, teksa po diskutohen në shumë kampionate për rikthimin në fushë. Një tjetër revistë “Placar” në Amerikën e Jugut bisedoi me një pjesëmarrës në takimin, i cili u zhvillua në 16 prill, duke konfirmuar se OBSH ishte serioze në kërkesën e tij.
Dy gazetat e Amerikës së Jugut shkruajnë se konferenca zgjati për dy orë e gjysmë, me tone shumë të nxehta. Masa drastike u sugjerua pas prezantimit të dy epidemiologëve për shtrirjen e urgjencës globale shëndetësore.
Bazuar në një studim mbi rreziqet e valëve të reja të infeksionit vitin e ardhshëm, dy ekspertët treguan skenarët e mundshëm dhe besuan se zgjidhja më e mirë do të ishte pezullimi i të gjitha aktiviteteve deri në fund të vitit të ardhshëm. Vlen të përmendet se Organizata Botërore e Shëndetit nuk ka asnjë autoritet mbi kalendarin sportiv dhe UEFA nuk është e detyruar të ndjek sugjerimet e saj. /R.Lika-Koha Jone/