“Bomba” nga Spanja: Messi mendon largimin falas nga Barcelona në verë

Në shtëpinë e Barcelonës duket se nuk ka qetësi. Pas tensionit mes Leo Messit dhe Eric Abidal, klubi blaugrana organizoi një takim me drejtorin sportiv, ku u arrit që të zgjidhej mosmarrëveshja. Çështja ndërkohë është bërë edhe më e vështirë sa i përket së ardhmes së Lionel Messit në klubin blaugrana.

Leo është i zemëruar dhe mund të aktivizojë klauzolën për largimin pa asnjë kosto në fund të sezonit. Kjo mundësi lindi nga rinovimi i kontratës në vitin 2017, kur ai arriti që të merrte një pikë në kontratë që e lejonte ta zgjidhte kontratën në mënyrë të njëanshme në fund të çdo sezoni.

Një marrëveshje që me lidhjen e fortë që ka me klubin, përkushtimin që ka dhënë për këto ngjyra, duket se do të ndodhte vetëm kur ai të kthehej në Argjentinë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Përplasja me Abidal vjen pas disa zgjedhjeve në merkato të cilat nuk i kanë pëlqyer aspak, duke filluar nga shitja dhe mos arritja për të rikthyer mikun e tij Neymar.

Në Barcelonë kanë filluar që të kenë frikë se Messi mund të largohet në një tjetër klub të madh siç e dëshmojnë edhe fjalët e fundit të trajnerit Setien: “Duhet të qëndrojmë pranë tij dhe të shmangim tundimin për të ikur”.

Nga e thëna në të bërë, janë tre muaj, në të cilat gjithçka mund të ndryshojë. Klubet e mëdha kanë nisur të ëndërrojnë edhe pse në fakt Messit sipas “France Football”, kërkon një shpenzim prej 87 milionë eurosh në vit nga paga apo shpërblime të tjera. PSG, Manchester Unted, Manchester City kanë nisur ta mendojnë seriozisht afrimin e tij. Për t’u mos harruar as Juventusit, që mund të zgjedhë për të formuar një dyshe ëndrrash Ronaldo-Messi. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP