“Bomba” nga Spanja, Reali dhe Mourinho në “luftë” për Marash Kumbullën

Reparti i mbrojtjes është një dilemat e mëdha për Real Madridin për sezonin e ardhshëm. Zinedine Zidane nuk e di ende se cilët do të jenë futbollistët që do të ketë në dispozicion, pasi e ardhmja e shumë prej tyre që ka aktualisht, është në dyshim të madh. Rinovimi i kontratës së Sergio Ramos është ende në ajër për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit, që ndërpreu tratativat. Nacho Fernandez me shumë mundësi do të largohet në Itali, ndërkohë që Raphael Varane duket i tunduar nga një ofertë e rëndësishme që ka marrë nga Manchester City. Një pasiguri e madhe që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit francez të madrilenëve, që ka nisur të bëjë planet për afrimet e mundshme.

“Don Balon” raporton se një nga prioritet në merkato është Marash Kumbulla. Mbrojtësi i Kombëtares sonë ka marrë oferta të rëndësishme nga klubet italiane si Inter dhe Napoli, ndërkohë që Tottenhami i Jose Mourinho duket një nga opsionet më bindës në ditët e fundit. Trajneri portugez ka kontaktuar me futbollistin për ta bindur që të bashkohet me “Spursat” gjatë kësaj vere. Largimi i mundshëm i Jan Vertonghen, e detyron klubin londinez që të hidhet në merkato për të gjetur një mbrojtës cilësor, teksa shkodrani duket opsioni më i mirë për momentin.

Kumbulla ka arritur që të tregojë vlerat e tij që në sezonin e parë në elitën e futbollit italian, teksa Juric i ka dhënë mundësinë për t’u aktivizuar në mbrojtjen me tre. Interi ka ngulmuar madje edhe me oferta konkrete, por deri më tani ka hasur në rezistencën edhe të Veronës, që e ka ngritur çmimin e 20-vjeçarit në mbi 30 milionë euro. Kriza e pandemisë nuk pritet që të ndikojë shumë, pasi kërkesat e shumta nga klubet më të mëdha europiane, e kanë kthyer në një ankand. I sigurt duket fakti që Kumbullën sezonin e ardhshëm do ta shohim me fanellën e një prej klubeve më të mira në Europë. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP