Bonny dëmtohet dhe humbet sfidën e fundjavës ndaj Atalantës
Lajme jo të mira për Cristian Chivun në prag të sfidës së vështirë kundër Atalantës. Trajneri zikaltër nuk do të ketë në dispozicion Ange-Yoan Bonny, i cili u dëmtua gjatë seancës stërvitore të ditës së djeshme.
Sulmuesi, ish-lojtar i Parmës, iu nënshtrua këtë mëngjes ekzaminimeve mjekësore në Institutin Humanitas në Rozzano. Sipas njoftimit zyrtar të klubit, kontrollet kanë evidentuar një ndrydhje të lehtë në gjurin e majtë. Gjendja e tij do të rivlerësohet javën e ardhshme, duke e përjashtuar praktikisht për sfidën në Bergamo.
Ndërkohë, për Chivun vijnë edhe disa lajme pozitive nga infermieria. Në sfidën ndaj Atalantës, trajneri do të rikuperojë plotësisht Hakan Çalhanoglu, i cili kishte qëndruar jashtë në ndeshjen kundër Bolognës për të shmangur rreziqe pas shqetësimit në aduktorin e djathtë, të pësuar në Champions League ndaj Liverpoolit.
Në dispozicion do të jetë edhe Piotr Zielinski. Mesfushori polak kishte kërkuar zëvendësim pak minuta para penalltive ndaj Bolognës për shkak të ngërçeve, por tashmë është plotësisht i gatshëm.
Situata mbetet e pandryshuar për Matteo Darmian, i cili edhe pse ishte me skuadrën në Riad, vazhdon të vuajë nga një shqetësim në pulpë. Jashtë mbetet gjithashtu Francesco Acerbi, i cili po përballet me një problem muskulor në bicepsin femoral të kofshës së djathtë. Të dy mbrojtësit pritet të rikthehen në dispozicion në transfertën e 7 janarit ndaj Parmës.
KOHA JONË SONDAZH

