Botërori 2026/ FIFA ul koston për tifozët: bileta nga 60 dollarë në tribunën bazë
Çmimi i lartë i biletave për Kupën e Botës 2026 ka qenë një nga kritikat kryesore në prag të turneut që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, sidomos në krahasim me Botërorin e Katarit 2022. Megjithatë, FIFA ka vendosur të ndërhyjë për t’u ardhur në ndihmë tifozëve që dëshirojnë ta ndjekin nga afër spektaklin e futbollit botëror.
Organizatorët kanë konfirmuar krijimin e një kategorie të re, të quajtur “tribuna bazë”, ku çmimi i biletave do të jetë 60 dollarë. Kjo tarifë do të vlejë për të gjitha 104 ndeshjet e turneut, duke ofruar një alternativë më të përballueshme për tifozët.
Nisma ka si qëllim mbështetjen e atyre që synojnë të ndjekin kombëtaret e tyre gjatë gjithë rrugëtimit në Kupën e Botës. Sipas të dhënave të deritanishme, rreth 20 milionë kërkesa për bileta janë regjistruar përmes procesit të përzgjedhjes me short, dhe vetëm tifozët e përfshirë në këtë proces do të kenë akses në kategorinë e tribunës bazë.
Procesi i aplikimit me short mbetet ende i hapur dhe do të vijojë deri më 13 janar. FIFA ka sqaruar se koha e aplikimit nuk ndikon në shanset për përzgjedhje, duke garantuar barazi për të gjithë tifozët e interesuar.
KOHA JONË SONDAZH

