Botërori i Klubeve/ Reali fiton bindshëm dhe sfidon Juven, kalon dhe Al Hilal
Faza e grupeve e Kampionatit Botëror për Klube përfundon pa surpriza në Grupin H. Real Madrid dhe Al-Hilal sigurojnë kalimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballen respektivisht me Juventusin dhe Manchester Cityn më 1 korrik.
RB Salzburg-Real Madrid 0-3
Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso luan ndeshjen më të mirë deri më tani në turne, duke fituar pastër 3-0 ndaj Salzburgut, që eliminohet nga kompeticioni. Edhe pse pa Kylian Mbappén, madrilenët tregojnë forcën e tyre me një formacion të rinovuar. Golat vijnë nga Vinicius Junior (40’), Valverde (47’+), dhe Gonzalo Garcia (84’), i cili po shkëlqen si zëvendësues i mundshëm i yllit francez. Me këtë fitore, Real Madrid mbyll grupin me 7 pikë dhe do të përballet me Juventusin më 1 korrik në orën 21:00, në “Hard Rock Stadium” të Miamit.
Al-Hilal-Pachuca 2-0
Edhe Al-Hilal i Simone Inzaghit siguron një vend mes më të mirëve, falë një paraqitjeje solide dhe ndihmës nga rezultati i ndeshjes tjetër. Goli i bukur i Al-Dawsarit në minutën e 20’ dhe ai i Marcos Leonardos në fundin e ndeshjes (90’+5’) i japin fitoren sauditeve, të cilët e mbyllin grupin në vendin e dytë. Al-Hilal bëhet e vetmja skuadër aziatike që kalon në fazën tjetër dhe do të sfidojë Manchester Cityn më 1 korrik.
KOHA JONË SONDAZH

