Bove mbetet në reanimacion, mjekët e mbajnë nën kujdes intensiv

Edoardo Bove, talenti i ri i Fiorentinës, mbetet në repartin e terapisë intensive, ku po përballon një prej “ndeshjeve” më të vështira të jetës së tij. Pas arrestit kardiak të pësuar të dielën e kaluar në fushën e lojës, gjatë Fiorentina-Inter, lojtari 22-vjeçar është në qendër të kujdesit mjekësor intensiv në spitalin “Careggi” të Firences.

Gjendja e tij po përmirësohet gradualisht, por mjekët vazhdojnë me një sërë testesh të detajuara për të kuptuar më mirë shkaqet dhe e kolapsit shëndetësor dhe përjashtuar ndonjë problem serioz, që mund të rrezikojë karrierën apo shëndetin e tij afatgjatë.

Skaneri koronar ka dhënë rezultate pozitive, ndërsa rezonanca magnetike kardiologjike pritet të japë përgjigje më të qarta për të përjashtuar ndonjë dëmtim struktural apo ndonjë “shenjë” që mund të ketë shkaktuar aritminë. Gjithashtu, analizat e tij kanë treguar nivele të ulëta të potasit dhe kalciumit, gjë që mund të jetë faktor kontribues për ndalimin e zemrës.

Mjekët po hetojnë të kaluarën e tij mjekësore, duke përfshirë një miokardit të lehtë pas infektimit me Covid-19 në vitin 2020, e cila deri tani nuk duket se ka lënë pasoja në zemrën e tij.

Ai është i përqendruar vetëm te rikthimi në fushë dhe ka kërkuar që të mos bëhen manifestime publike në mbështetje të tij gjatë ndeshjeve të Fiorentinës. Për të, normaliteti është ilaçi më i mirë.

Çfarë pritet më tej? Ekipi mjekësor ka nevojë për më shumë kohë për të përfunduar analizat dhe përcaktuar me saktësi shkaqet e incidentit. Karriera e tij sportive mbetet në pritje të këtyre rezultateve, por për momentin, shëndeti i Bove është prioritet absolut. Ndërkohë, Fiorentina dhe tifozët e saj vazhdojnë të dërgojnë mbështetje dhe dashuri për mesfushorin e ri.

 

SHKARKO APP