Braida: Suarez partner ideal për Ronaldon, ka ADN e Juventusit

Ariedo Braida, anëtar i komisionit teknik të Barcelonës deri në vitin 2019, ka mbështetur kalimin e Luis Suárez te Juventusi. Në një intervistë për gazetën italiane “Tuttosport”, ai rezervon fjalët më të mira për uruguaianin.

“Luis është një ftesë për të luftuar, për të fituar gjithmonë. Largimi i tij nga Barça nuk më habit, sepse futbolli përbëhet nga cikle. Dhe kjo është e vërtetë për të gjithë, përfshirë kampionët si Suárez. Edhe Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi, sepse e konsideroi të përfunduar aventurën e tij në ‘Bernabeu’.

Luis gjithmonë ka shënuar gola; me Uruguajin, Ajax-in, Liverpool-in, Barcelonën… Ai është golashënues i lindur, por di të luajë futboll mrekullisht. Luis ka përkuar me Cavanin në kombëtaren e tij dhe me Messin te Barcelona. Ai nuk do të ketë asnjë problem me CR7. Për më tepër, ata do ta kuptojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur, sepse janë dy fitues natyralë.

Duke lënë Van Basten mënjanë, një bomber i jashtëzakonshëm, unë do ta vendosja Luis me më të mirët, siç janë Weah apo Shevchenko. Numrat flasin për të. Cilësia e tij më e mirë? Përkushtimi, tërbimi, dëshira. Ai është një luftëtar që e injekton shpirtin e tij tek pjesa tjetër e skuadrës. Ka karakter, është një luftëtar i lindur, ka ADN-në e Juves dhe klubeve të mëdha. Nëse është i motivuar, edhe pse 33 vjeç, ai është një blerje e sigurt”.

 

SHKARKO APP