Brazili “fluturon” në finalen e Kupës së Amerikës, Argjentina e Messit sërish në lot (VIDEO)
Brazili është finalisti i parë i Kupës së Amerikës 2019, teksa ka fituar 2-0 ndaj Argjentinës në “Belo Horizonte”. Pjesa e parë pati një ritëm të jashtëzakonshëm dhe dyluftime mjaft të ashpra në mesin e fushës, me brazilianët që ishin disi më të qartë në lojën e tyre.
Në minutën e 26-të, kapiteni brazilian Dani Alves fitoi një duel ajror, dribloi një kundërshtar dhe nisi në të djathtë Firminhon, ndërsa ky i fundit gjeti saktë në qendër Gabriel Jesus, i cili e kishte të thjeshtë për të mposhtur portierin Armani.
Argjentina tentoi të reagojë menjëherë dhe shkëndijën e parë e dha Paredes me një predhë të lëshuar nga një distancë e konsiderueshme, por topi kaloi pak mbi kuadratin e Alisson.
Lionel Messi “flirtoi” dy herë me barazimin, por një herë shtylla dhe një herë Alisson ia mohuan festën kapitenit të argjentinasve. Kur pritej goli i Argjentinës, në pjesën e dytë, Brazili shënoi edhe golin e dytë me një kundërsulm vrastar që u iniciua nga Gabriel Jesus dhe u mbyll nga Firminho.
KOHA JONË SONDAZH

