Braziliani Pereira rikthehet te Vllaznia: Ndihem si në shtëpinë time!
Braziliani Silvio Rodrigues Pereira Junior është rikthyer te Vllaznia, ku arriti të shënojë 11 gola një vit më parë në Kategorinë e Parë me shkodranët.
“Jam i lumtur që rikthehem dhe ndjehem si në shtëpinë time. Gjatë kësaj periudhe që nuk kam qenë në Shqipëri, i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Vllaznisë dhe po ashtu edhe të gjithë lajmet rreth saj. Jam në formën e duhur dhe i gatshëm për të luajtur. Tani është në dorën e trajnerit nëse do të jem në fushë që në ndeshjen e parë apo jo.
Tek Vllaznia tashmë është një trajner i ri dhe është ai që vendos për çështjen e aktivizimit. Do të filloj që sot stërvitjen me ekipin dhe në ditët në vijim do të shohim për këtë gjë. E thashë edhe më lart se e kam ndjekur Vllazninë, kam parë lojtarët që kanë qëndruar në ekip që prej sezonit të kaluar kur isha edhe unë pjesë e saj, e po ashtu kam ndjekur edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur, disa prej të cilëve i njoh”, është shprehur sulmuesi brazilian.
I pyetur nëse do të vazhdojë të shënojë sërish si sezonin e kaluar kur skuadra në fakt ishte në Kategorinë e Parë dhe tashmë që ajo luan në Superligë, lojtari i sapoardhur te Vllaznia, është përgjigjur: “Vërtetë që është hera e parë që unë do të luaj në këtë kampionat, por ajo që premtoj unë është se do të bëjë maksimumin për ta ndihmuar skuadrën me lojën dhe golat e mi”.