Brdaric: E kemi fituar kampionatin tonë, e dimë si duhet të luajmë ndaj Partizanit!
Vllaznia do të sfidojë Partizanin kryesues në javën e parafundit, për të qenë ende në garë për titullin kampion. Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric foli për mediat duke u shfaqur optimist për një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.
“Një ndeshje e rëndësishme, si të gjithë ndeshjet e tjera. Objektivi ynë janë tre pikët. Jemi të bindur dhe besim plotë në këtë situatë. Nuk kemi asgjë për të humbur, duam të fitojmë këtë ndeshje. E kemi fituar kampionatin tonë, pasi kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Nesër do të shkojmë për fitore ndaj Partizanit. Skuadra? Unë e vlerësoj ekipin në disa aspekte. Bëjmë një punë profesionale për të marrë atë që duam dhe për të qenë të suksesshëm. Është një garë, nesër luajmë ndeshjen e 35-të. Kemi investuar shumë, jemi të kënaqur me pozicionin që kemi. Duhet ta kemi të qartë që nesër na pret një betejë e madhe dhe e vështirë, por duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim të mirë. Ekipi im ka mësuar shumë nga ky sezon.
Partizani? Nesër do të përballen dy ekipe që kanë nga 62 dhe 60 pikë. Kjo është diçka e veçantë. Të dy ekipet janë të forta, ka rëndësi të madhe të shfrytëzosh potencialin tënd. Do të jetë një duel i balancuar, kush do e meritojë dhe do të ketë më tepër fat, do të marrë tre pikët. Ekipi im është i përgatitur mirë, e dimë se si duhet të luajmë nesër. Jemi në formën më të mirë dhe mendoj se do të shkojmë për më të mirën.
Partizani ndodhet në krye, janë ekip i fortë, e dimë. Nesër do të jetë një ndeshje e hapur. Duhet të guxojmë dhe të punojmë shumë, në mënyrë që t’i surprizojmë të gjithë duke fituar ndeshjen. E kemi analizuar Partizanin në ndeshjet e fundit. Ata e meritojnë kryesimin, kanë lojtarë të mirë dhe me eksperiencë, trajnerin e kanë me goxha eksperiencë.
E njëjta situatë është edhe te Vllaznia, nuk mbetemi mbrapa për sezonin që kemi bërë. Uroj ta shijojmë këtë ndeshje me një rezultat pozitiv, por na duhet edhe fat. Asnjë humbje me Partizanin këtë sezon? Po, ky është një avantazh për ne, por nesër do jetë një ndeshje tjetër. Duhet të shprehim aftësitë tona, të luajmë me stilin tonë dhe t’ia bëjmë të vështirë Partizanit. Kemi shanset tona për të fituar, kështu që le të tregojmë fytyrën tonë më të mirë dhe të përballim forcat me ta.
Titulli mbyllet nesër? Nuk më takon mua, pas ndeshjes mund të vlerësojmë më mirë situatën. Ta lëmë surprizë. Kemi kaluar shumë sfida këtë sezon, le ta shijojmë ndeshjen nesër. E kemi merituar këtë pozicion ku jemi dhe le të luftojmë deri në momentin e fundit “, përfundoi Brdaric.