Brdaric: I dimë pikat e forta të Kukësit, jemi super të motivuar!

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric doli këtë të enjte para mediave për të folur për sfidën e të premtes ndaj Kukësit. Verilindorët janë një nga dy skuadrat që e kanë mposhtur Vllazninë në këtë sezon, gjithsesi Brdaric ka besim se këtë herë, gjithçka do të jetë ndryshe.

“Jam shumë i lumtur që do të luajmë nesër në një fushë si Elbasan Arena ndaj Kukësit. Kemi lojtarë super të motivuar dhe jemi gati. Gurishta nuk luan, as Ardit Hoxha, Dunga dhe Da Silva. Mendoj se kemi lojtarë që mund t’i zëvendësojnë këta futbollistë që të luajnë. Janë të përqendruar dhe e kanë treguar në përgatitje ashtu siç ua kemi kërkuar. Mendoj se do të jemi konkurrues nesër.

I dimë pikat e forta të Kukësit. Duhet të përballemi shumë mirë me ta. Të bëjmë maksimumin për të fituar dhe të marrim pikë ndaj tyre. E di se si kanë luajtur më parë, por kjo s’ka rëndësi. Nesër është ndryshe. Është ndryshe nga ajo humbje me ta. Kemi mësuar shumë. Kemi marrë rezultate pozitive. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të tregojmë përqendrim maksimal. Të zbatojmë porositë për ndeshjen e nesërme.

Vllazni sulmuese ndaj Kukësit? Ne nuk luajmë me 11 portierë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.

SHKARKO APP