Bregu: Do i falja dy golat për të fituar kundër Kukësit!
Dejvi Bregu shënoi dy gola ndaj Kukësit, por që nuk mjaftuan për t’i dhënë fitoren Teutës. Sulmuesi pas ndeshjes deklaroi se do t’i falte dy finalizimet e tij për fitoren e skuadrës durrsake.
“Do t’i falja dy golat për fitoren ndaj Kukësit. Kishim besim pas rezultateve pozitive. Futbolli prandaj është i bukur dhe i hidhur. Më vjen keq për djersën e çunave. Megjithatë, shohim para.
Çdo gjë është e hapur. Duhet të përqendrohemi te ndeshja me Vllazninë. Ta marrim barazimin me qetësi, sepse kampionati është i gjatë.
Goditjet standarde? Falë kësaj pjekurie që kam fituar te Luftëtari, Skënderbeu dhe Teuta, po ushtrohem t’i realizoj dhe në stërvitje. Uroj që ta ndihmoj ekipin për fitore në ndeshjet e tjera.
Bashkëpunimi me Krasniqin dhe Grudën? Përderisa të dy fitojnë shumë faulle dhe unë i shfrytëzoj mirë, do të thotë që të dy janë më të aftë për të fituar faulle. Të dy janë futbollistë potentë. Krasniqi është sulmuesi më i mirë i kampionatit. Uroj që të dy të na ndihmojnë si gjithmonë në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Bregu.