Briken Calja humbet medaljen e arit në dygarësh për 1 kg në Botërorin e Peshëngritjes, Qerimaj i katërti
Peshëngritësi Briken Calja është shpallur nënkampion bote në dygarësh në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tashkent të Uzbekistanit. Pas medaljes së artë me 156 kg në stilin e shkëputjes, ai zuri vendin e dytë në stilin e shtytjes, ku ngriti 186 kg. Për pasojë, ai e mbylli në vendin e dytë edhe në dygarësh, me 342kg, duke fituar një medalje të artë dhe dy të argjendta.
Briken Calja e nisi stilin e shtytjes me 182 kg, provë të cilën e realizon me sukses. Më pas, shtangisti kuqezi synon të ngrejë 186 kg dhe është sërish i suksesshëm, duke ia dalë mbanë. Në provën e tretë, Calja tenton 190kg, por pa sukses. Kjo ishte prova e parë dhe e vetme e humbur prej tij në këtë botëror, që i dha medaljen e argjendtë. Kjo i kushtoi të artën edhe në dygarësh, ku u mund nga iraniani Abdullah me vetëm 1 kg më shume (343kg në dygarësh për aziatikun).
Në këtë stil, Erkand Qerimaj e nis konkurrimin me 180 kg, peshë të cilën nuk e realizon në provën e parë. Gjithsesi, ai ia del mbanë të ngrejë këtë peshë në provën e dytë. Në përpjekjen e tretë, Qerimaj tenton të ngrejë 183 kg, por pa sukses, duke u klasifikuar në vendin e katërt në stilin e shtytjes. Në dygarësh ai u rendit në vendin e katërt.
KOHA JONË SONDAZH

