“Broja duhet të martohet”, ish-lojtari i Kombëtares ka një sugjerim për situatën e sulmuesit
Kualifikimi i Shqipërisë në fazën “play off” për Kupën e Botës 2026 ka shënuar një tjetër moment historik për Kombëtaren, por forma e Armando Brojës mbetet një nga çështjet më të diskutuara. Sulmuesi kuqezi, i konsideruar prej vitesh si një ndër talentet më premtues të futbollit shqiptar, nuk po kalon sezonin e tij më të mirë, gjë që ka reflektuar edhe në paraqitjet me Shqipërinë.
I ftuar në një intervistë me gazetarin Besard Jacaj, ish-lojtari i Kombëtares, Vasil Ruci, komentoi mbi mënyrat se si mund të ndihmohet psikologjikisht Broja në këtë fazë të karrierës. I pyetur për rrugët e mundshme të rikthimit të tij në formë, Ruci dha një opinion surprizues: sipas tij, sulmuesit i duhet të stabilizojë jetën personal, madje edhe të martohet.

“Ka mënyra të ndryshme për të ndikuar psikologjikisht te një futbollist. Këtë nuk e bën trajneri, por një psikolog i mirë. Unë mendoj ndryshe: Brojës i duhet t’i ndryshojë jeta jashtë fushës. Do preferoja të martohej; do bëhej më i përgjegjshëm, do të krijonte familje, do të mendonte ndryshe,” tha Ruci.
Duke analizuar formën e 23-vjeçarit, ai theksoi se Broja është ende në proces formimi si sportist dhe si karakter.
“Është në ndërtim e sipër të personalitetit. Ai nuk duhet humbur. Ambienti në Kombëtare është shumë i mirë për të, ndërsa te ekipi anglez sfida është më e madhe. Në fund, luftën e ka me vetveten. Tani është momenti: ose do të marrë për mirë, ose rrezikon shumë për të ardhmen,” u shpreh ish-mesfushori.
KOHA JONË SONDAZH

