Broja: I lumtur për ftesën, jam ndryshe nga sulmuesit e tjerë të Kombëtares
Në ditën e dytë të grumbullimit të Kombëtares në konferencën për shtyp oka dalë sulmuesi Armando Broja. Bomberi i talentuar që u huazua nga Chelsea tek Vitesse gjatë kësaj vere është shprehur i lumtur për ftesën e marrë nga Reja.
“Lëviza në Holandë, te ky ekip, sepse ka format të mirë për sulmuesit. Pastaj, shpresoj të kem hapësira aktivizimi, sepse jam 18 vjeç, ende i vogël. Stërvitja atje po shkon shumë mirë. Jam huazuar për një vit. Pas një viti, mbase kthehem te Chelsea dhe luaj në Premier League.
Grumbullimi me kombëtaren e madhe të Shqipërisë? Kam emocione të shumta. Jam shumë i kënaqur, sepse bëj pjesë te lojtarët më të mirë. Te U-19 dhe U-21 luanim fort dhe shpejt, kështu kam qejf ta provoj veten edhe këtu, në kombëtaren e madhe.
Mungesa ndaj Bjellorusisë? Fatkeqësisht nuk luaj dot, sepse kam marrë karton të kuq me U-19. Nuk më vjen mirë, por mbase aktivizohem në takimin e dytë për disa minuta. Edhe nëse nuk do të aktivizohem, do të jem në stol. Më duhet të mësoj ende, është një eksperiencë e mirë. Kështu e fillojnë të gjithë: fillimisht luajnë 10, 20 minuta për ndeshje. Kënaqësia kryesore është prania në kombëtaren e madhe. E di trajneri se kush do të luajë. Personalisht kam potencial, dua të rritem më shumë.
Konkurrenca në sulm? Balaj, Cikalleshi dhe Sadiku, të tre janë lojtarë të mirë. Kanë bërë shumë për Shqipërinë. Janë djem dhe lojtarë të mirë. Unë jam lojtar ndryshe, luaj futboll ndryshe. Jam më i shpejtë, mund t’iu iki nga mbrapa mbrojtësve. Mund të përdor edhe dribilimin. Ata kanë bërë më shumë se unë, ndaj kanë respektin maksimal. Duhet t’i tregoj me punë trajnerit se e meritoj të jem në kombëtare”, deklaroi Broja.