Broja: Jemi të bashkuar dhe kemi uri, luftojmë për mbijetesë
Armando Broja është rikthyer në qendër të vëmendjes te Burnley, pas golit të shënuar kundër Bournemouth, një realizim që i dha fund një periudhe thuajse dyvjeçare pa gola dhe që ka ringjallur optimizmin në kampin e “Clarets”. Nga trajneri Scott Parker te tifozët, të gjithë shpresojnë që ky moment të shërbejë si pikë kthese për sulmuesin shqiptar dhe për të gjithë skuadrën.
Goli i Brojës nuk kishte vetëm vlerë personale, por edhe peshë kolektive, pasi i dha Burnley-t pikën e parë pas shtatë humbjeve radhazi. Një rezultat që, edhe pse nuk u shoqërua me një paraqitje perfekte, ka rikthyer besimin se skuadra mund të ndërtojë një ecuri më pozitive në javët në vijim.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, Broja foli hapur për emocionet pas golit të tij të parë me fanellën e Burnley-t, duke theksuar rëndësinë e frymës së grupit dhe reagimit të ekipit në një moment të vështirë të sezonit.
“Padyshim një ndjesi fantastike për mua, por edhe i gjithë ekipi ishte i kënaqur, të gjithë ishin të përfshirë. Ndoshta paraqitja nuk ishte më e mira që kishim, por sa i përket rezultatit, ishte i mirë, ishte pika e parë pas 7 humbjeve, ndjesa është që tani mund të krijojmë një ecuri pozitive”
Sulmuesi kuqezi nënvizoi gjithashtu objektivin kryesor të skuadrës: mbijetesën në Premier League.
“Kemi uri, dëshirë, jemi të bashkuar të gjithë për të qëndruar në Premier League. Ky është kampionati më i mirë dhe padyshim që të gjithë duam që të jemi pjesë e këtij kampionati dhe të luajmë. Ndaj siç e thashë, do të luftojmë në çdo ndeshje që të kemi mundësi. Dhe shpresoj që tani, pas këtij barazimi dhe kësaj pike, të ndërtojmë vazhdimësi. E kemi parë se sa shpejt ndryshojnë gjërat dhe ne do të qëndrojmë të bashkuar duke shpresuar që të ndryshojmë gjërat”, u shpreh Broja.
KOHA JONË SONDAZH

