Broja jep asist në disfatën e Burnley-t, Chelsea ngec sërish
Kanë përfunduar katër nga gjashtë ndeshjet e programuara për t’u zhvilluar mbrëmjen e sotme në Premier League, të vlefshme për javën e 19-të të kampionatit anglez.
Në “Turf Moor”, Burnley u mposht 1-3 nga Newcastle, në një ndeshje që u vendos që në minutat e para.
Miqtë nisën vrullshëm, duke shënuar dy herë brenda pesë minutave, fillimisht me Joelinton në minutën e 2-të dhe më pas me Yoane Wissa në të 7-ën. Vendasit tentuan të reagojnë dhe në minutën e 22-të gjetën golin, pas një aksioni ku Armando Broja ishte i përfshirë drejtpërdrejt. Sulmuesi shqiptar preku topin në zonë, por pa arritur të finalizojë, ndërsa sfera përfundoi te Josh Laurent, i cili me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Newcastle mbylli llogaritë në minutat shtesë, kur Bruno Guimarães realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 1-3. Pas këtij rezultati, Burnley mbetet në vendin e 19-të me 12 pikë, ndërsa Newcastle ngjitet në vendin e 10-të me 26 pikë.
Ndërkohë, Chelsea vazhdon serinë e rezultateve zhgënjyese, duke u ndalur në një barazim 2-2 në “Stamford Bridge” përballë Bournemouth. Miqtë kaluan të parët në avantazh me David Brooks në minutën e 6-të, por reagimi i londinezëve ishte i shpejtë. Cole Palmer barazoi nga pika e bardhë në minutën e 15-të, ndërsa Enzo Fernández përmbysi rezultatin tetë minuta më pas.
Megjithatë, Bournemouth u rikthye sërish në lojë me golin e Justin Kluivert në minutën e 27-të. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale, duke u mbyllur 2-2.
KOHA JONË SONDAZH

