Broja-Manaj-Vrioni, Shqipëria “blindon” sulmin për të ardhmen (VIDEO-LAJM)
Shqipëria e ka sulmin e garantuar në të ardhmen. 3 talente të kombëtares sonë janë bërë pjesë e 3 ekipeve të mëdha europiane, edhe pse jo në skuadrat e para. Po flasim për Armando Brojën, Rey Manaj dhe Giacomo Vrionin.
Broja është pjesë e të rinjve të skuadrës së Chelsea-t. 18-vjeçari i talentuar po kalon një formë të jashtëzakonshme, teksa ka shënuar 9 gola në 9 ndeshje në kampionatin e 18-vjeçarëve. Ai ka një mesatare të frikshme në të gjitha kompeticionet, pasi ka realizuar 16 gola në 26 sfida. Nuk përjashtohet mundësia që Lampard në muajt në vijim t’i japë shansin për të debutuar në ekipin e parë.
Rey Manaj këtë muaj kompletoi transferimin te skuadra e Barcelonës. Sulmuesi lushnjar do të jetë pjesë e ekipit të dytë të blaugranëve. Këtë mesjavë ai zhvilloi një seancë stërvitore me yje si Messi, Griezmann apo Vidal, por nuk mundi të merrte ftesë për duelin e Kupës ndaj Leganes. Fakti që katalanasit kanë shumë mungesa në sulm në këtë fazë të sezonit, mund të bëjë që trajneri Setien ta grumbullojë në ndonjë ndeshje.
Giaccomo Vrioni ndërkohë ditën e enjte firmosi për skuadrën e Juventusit. Ashtu si Manaj, edhe ai do të jetë pjesë e skuadrës së dytë të bardhezinjve që luan në Seria C. Gjithsesi fakti që do të stërviten me yje të futbollit botëror, krijon shumë premisa për një të ardhme të ndritur. Në këtë mënyrë duket se kombëtarja jonë është në duar të sigurta të paktën në repartin e avancuar. /Rozalb Lika-Koha Jone/