Broja: Pezullimi mund të na vijë në ndihmë te Partizani, nuk ishim në formë!

Rron Broja ka festuar sot 24-vjetorin e lindjes, sigurisht në shtëpinë e tij. Futbollisti i Partizanit, në një lidhje direkt me “Supersport”, u shpreh se ndalesa erdhi në momentin e tyre më të keq, ndaj dhe do shërbejë pozitivisht.

“Është një situatë e vështirë, nuk është e lehtë të vazhdosh stërvitjen në shtëpi, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Mendoj se ky pezullim mund të na vijë në ndihmë te Partizani, pasi nuk po kalonim një formë shumë të mirë dhe mendoj se në vazhdim do të jemi më mire. Dëshira është që të kalojë kjo situatë. Shpresoj që me Partizanin të zhvillojmë ndeshje të mira dhe të luajmë në kupat e Europës.

Kemi qenë të lodhur shumica e ekipit para virusit. Kur të fillojmë stërvitjen do të kthehet edhe Trashi që ka qenë një mungesë e madhe. Mendoj se kjo ndalesë do të na shërbejë për mirë, që të kthehemi në një formë të mirë dhe të marrim rezultatet pozitive. Do të isha shumë i lumtur të isha pjesë e Kosovës edhe për ndeshjet e tjera”, deklaroi Broja

SHKARKO APP