Broja rrëfehet për mediat angleze: Do e mbaj gjithmonë kokën ulur, po e shijoj eksperiencën!
Armando Broja është një nga futbollistët më të përfolur në Premier League. Edhe pse është vetëm 20 vjeç, super talenti i Kombëtares sonë ka arritur që të tregojë menjëherë vlerat e tij në kampionatin më të fortë në botë. 3 gola të shënuar deri më tani në elitën e futbollit anglez, po aq sa Romelu Lukaku. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Dailyecho”, Broja u shpreh se do të punojë shumë për të qenë protagonist.
“Po e shijoj shumë eksperiencën e këtij sezoni dhe deri tani ka qenë një çmenduri. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mrekullueshme të kesh një shans për të shkëlqyer në Premier League, të kesh mundësinë të stërvitesh me lojtarë me eksperiencë dhe të bëhesh një futbollist më i mirë. Është një ëndërr e bërë realitet, po mundohem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj më shumë.
Në Premier League ka gjithnjë shumë konkurrencë, është liga më e vështirë në botë. Edhe në organikën e skuadrës do të ketë gjithnjë konkurrencë, por nuk e kam problem. Unë do ta mbaj gjithnjë kokën ulur dhe do të mundohem të ndihmoj sa më shumë ekipin. Jam i lumtur për golin ndaj Brighton, por më kryesorja është rezultati që merr ekipi. Ishte për të ardhur keq që nuk morëm tre pikët. Ishte zhgënjyese që pësuam atë gol në fundin e ndeshjes”, u shpreh Broja.