Bushi: Dominuam ndaj Kosovës, festoj edhe kur luaj në kalçeto ndaj vëllait tim
Trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për shtyp, në ambientet e FSHF, ku foli për ndeshjen e datës 15 tetor, Shqipëri U-21 2-1 Kosovë U-21.
“Mendoj se kanë bërë një ndeshje të mirë, ishin të mobilizuar. Kishim kohë në dispozicion, ndaj u sollën mirë ndaj detyrave taktike. Nuk ndodhi si herët e tjera. Dhanë maksimumin dhe i falënderoj, pasi nuk ishte një ndeshje e lehtë. Kosova është një ekip i fortë. Gjithmonë kemi pasur probleme me lojtarë me pak minuta. E vuajtëm në pjesën e dytë. U munduam të aktivizojmë ata që kanë pasur minuta, përveç Tafës. Në atë repart nuk kemi shumë alternativa. Mihaj dhe Kumbulla janë në ekipin e parë. Nuk kemi qenë shumë fanatikë në qendër të mbrojtjes, mund të kishim pësuar në fillim. Nëse e keni parë ndeshjen me qetësi, e kemi dominuar. Kishte vetëm 15 minuta në pjesën e dytë që ata kishin më shumë kontrollin e topit. Kishin dy raste për gol, me Kastratin në pjesën e parë dhe me Mustafën pjesën e dytë. Kishim më shumë raste, zotëruam shumë mirë lojën në fillim.
Luajtëm rrjedhshëm kryesisht, por dolëm para edhe me topa të gjatë me Brojën. Ai ishte pika jonë e fortë dhe duhet të shërbenim për të dhe të përdornim më pas sulmuesit e krahut. Kemi ekip të mirë. Po t’i marrësh ndeshjet të gjitha, me Turqinë humbëm në mënyrë të pamerituar. Me Andorrën nuk na falet. Në Turqi mund të fitonim, por dolëm 2-2. Kishim rast të pastër me Omar Imerin dhe gjërat do shkonin ndryshe. Humbëm me Austrinë dhe është një ndeshje për t’u harruar. U munduam të rregullojmë gjërat. Kemi edhe pesë ndeshje, dy me Anglinë. Në futboll ndodh diçka. Mund të dalim edhe të dytët, nuk i dihet. Por mund të rrimë edhe me kaq pikë. Po të luajmë si me Turqinë dhe Kosovën, kemi shanset tona. Është njëlloj si me çdo ekip. Sa kohë lodhesh dhe punon, normal vjen ai lloj shpërthimi, adrenaline.
Unë gëzohem edhe kur fitoj në kalçeto, edhe pse mund të kem vëllanë tim përballë. Edhe Kosova ka festuar kur mundi Shqipërinë 3-0 në Zvicër, është normale. Kur luan Kosova dua që ata të fitojnë, e dua më zemër. Këtë herë doja fitoren e Shqipërisë. Humbjet të mërzisin. Këtu nuk është klub. Këtu shihet si luajmë futboll dhe nuk kemi çaluar. Kemi qenë mirë, përveç ndeshjes me Austrinë. Nuk kam pasur asnjë presion. Shumë lojtarë të Shpresave janë në ekipin A. Sadiku e Balaj kanë shkuar në ekipin A, por kanë bërë një pauzë dhe më pas kanë luajtur aty. Tani shihet te Shpresat direkt dhe kjo është gjë e mirë. Kjo vjen prej punës së mirë me moshat. Normal për ne ka probleme kur na marrin shumë lojtarë. Nuk jemi Gjermania të kemi aq shumë lojtarë. Na gëzon fakti që kemi lojtarë të mirë tek ekipi kombëtar. Me Selahin, Mihajn dhe Kumbullën do ishim ekip tjetër. Do kishim më shumë fitore me ekip të plotë.
Shqipëria mund t’ia dalë edhe tani, pa menduar për lojtarët që janë pjesë e kombëtares tani. Po të ishin edhe ata, do ishte më mirë. Por edhe ekipi i parë ka një fazë tranzicioni. Kur të stabilizohet, atëherë do të jetë ndryshe dhe mund të kemi shanset tona që të kualifikohet në të ardhmen. Reja flet i pari, kur i duhen lojtarët i merr. Edhe nëse më duhen, unë nuk mund t’i them jo. Kombëtarja është më e rëndësishme. Edhe Panucci nuk i merrte të na bënte dëm, i duheshin dhe nuk mërzitem pse i marrim. Gëzohem dhe mundohem të bëj më të mirën me të tjerët. Edhe unë i kam marrë Brojën dhe Bullarin ekipit U-19”, deklaroi Bushi.